Prishtinë, 14 qershor – Urdhri ishte i prerë: Kushdo që do të guxonte ta lironte Blerim Kuçin e priste plumbi. Kuçi që konsiderohej dezertor nuk mund të lirohej. Aq më pak kur arrestimin e tij e kishte kryer personalisht ish-komandant Çeliku.

Ish-mbikëqyrësi i të ashtuquajturit burgu i Kleçkës i themeluar dhe kontrolluar nga UÇK-ja gjatë vitit 1998-1999 ka thënë se këtë urdhër e kishte marrë nga komandant Çeliku që të mos guxonte ta lironte, ndryshe do të vritej. Ky ish-pjesëtar i UÇK-së që tashmë identifikohet si dëshmitari “X” i ka rrëfyer prokurorit special Maorizio Salustro prej ditës së parë kur i është bashkuar UÇK-së e deri ditën që u është dorëzuar autoriteteve, shkruan sot “Koha Ditore”. Dëshmitari bashkëpunues që nuk do të ndiqet penalisht as për vrasjen e dy serbëve të cilat thotë se i ka kryer vetë me urdhër të Fatmir Limajt ka rrëfyer gjerë e gjatë në disa intervista të zhvilluara gjatë vitit të kaluar. Ai ka folur për arrestimin e Blerim Kuçit, kryetarit aktual të Suharekës dhe lirimin e tij “diplomatik” nga ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

“Kur u lirua Blerim Kuçi sipas urdhrit të Sokol Dobrunës, Fatmir Limaj filloi ta mallkonte atë. Blerim Kuçi ishte një komandant në zonën e Suharekës. Sipas thashethemeve që i kam dëgjuar ai gjoja u kishte thënë ushtarëve të tij t’i linin armët e tyre dhe të iknin për në Shqipëri. Për këtë arsye vetë Fatmiri e kishte arrestuar atë dhe personalisht e kishte dërguar në burgun e Kleçkës”, i ka thënë dëshmitari prokurorit, dëshmitë e të cilit i ka siguruar gazeta “Koha Ditore”.

Gazeta ka siguruar dëshminë e tij rreth 200 faqe në të cilën ka bërë skica e sqaruar ato që kishte shkruar në ditarin e tij. Kur ai ia shkruante para emrin të ndonjë të burgosuri “plus” kjo nënkuptonte që ai ishte ekzekutuar. Dëshmitari “X” që është emër i njohur për redaksinë ka thënë se ka kryer vrasje me urdhër të Limajt. Për këtë vrasje të dyfishtë atij i ishin rrahur krahët nga Limaj. Një pjesë të madhe të dëshmisë ky dëshmitar ia ka kushtuar Blerim Kuçit i cili refuzoi të dëshmon për prokurorinë dhe u ndëshkua me një muaj burgim. Sipas këtij dëshmitari, Limaj kishte thënë për Kuçin se duhej të ekzekutohej.

“Kuçi ishte burgosur për ca kohë dhe ishte mbajtur në shtëpinë kryesore. Kur e sollën në kamp, Limaj më tha nëse e liron këtë do të të vras. Ky duhet të ekzekutohet. Pas disa ditësh Dobruna e lëshoi urdhrin me shkrim ku thuhej se ai dëshironte që Kuçi të çohej pranë tij. Unë e mora letrën por më vinte keq që nuk munda ta ekzekutojë urdhrin e Dobrunës”, ka thënë dëshmitari “X”.

“Pastaj unë shkova që të bisedoja me Sokol Dobrunën. Ai më tha se Blerim Kuçi nuk mund të ekzekutohej kështu. Unë i thash se kisha një urdhër nga Fatmir Limaj për të mos e liruar të burgosurin. I thash se nuk doja të merrja plumb nga Kuçi që do të thotë nga Fatmir Limaj do të më vriste sikur ta liroja Kuçin”. Dëshmitari ka thënë se i kishte propozuar Sokol Dobrunës që të gjente një mënyrë tjetër për ta zgjedhur problemin. I kishte thënë që të shkruante një urdhër ku do të thuhej se “Kuçi ishte i sëmurë dhe se nuk mund të shkonte në burg prandaj duhej të sillej para tij dhe të merrej në pyetje”. Pas kësaj Sokol Dobruna i kishte dërguar katër oficerë të Policisë Ushtarake që ta merrnin Kuçin.

“Kësaj radhe nuk kishte shans të refuzoja. Deri atëherë Kuçi kishte qëndruar rreth 20 ditë në burg. Pasi që Kuçin e mori Dobruna kam dëgjuar se e liroi nga akuza dhe iu kishte dhënë prapë uniforma dhe kishte shkruar në Shtabin Qendror. Kur Limaj e kuptoi se Kuçi ishte liruar ai u mërzit shumë. Ai filloi të më kërkonte mua dhe unë kisha frikë se do të më vriste”, ka thënë ai. “Kur më gjeti unë ia tregova letrën e Sokol Dobrunës dhe i thash se nuk e kam ditur që Sokoli do ta lironte Kuçin sepse urdhri thoshte se ai thjeshtë donte ta merrte në pyetje. Kadri Veseli dhe Adem Grabovci ishin të pranishëm dhe u munduan ta qetësojnë Fatmirin se nuk ishte faji im dhe se nuk ishte e drejtë të më vriste. Pastaj Fatmiri u tërbua me Sokol Dobrunën, ndërsa mua më la të qetë”.

Dëshmitari ka treguar se UÇK-së iu kishte bashkuar më 16 prill 1998. Kur kishte shkuar në Kleçkë e kishte takuar Fatmir Limajn, Isak Musliun dhe Shukri Bujën. Kjo ishte hera e parë që i kishte takuar ata. Aso kohe ata paraqiteshin vetëm me nofka – nofka e Isak Musliut ishte “Çerçizi”, e Shukri Bujës “Gazetari” dhe e Fatmir Limajt – “Çeliku”. Fatmir Limaj po ashtu thirrej edhe “Daja”.

Një ndër urdhrat e parë që kishte marrë nga Limaj kishte qenë një detyrë që të shkonte dhe ta mbikëqyrte Sabit Shalën i njohur si “Cungu” dhe Lul Shurdhën. Atje kishte qëndruar rreth dy muaj si komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së. Ai ka thënë se aty kishte mësuar se Sabit Shala dhe Lul Shurdha përdornin një shtëpi si shtëpi publike për, siç ka thënë, grupin e Fatmirit dhe shokët e tij të ngushtë.

Gjersa ishte ende në Shalë, dëshmitari “X” ka thënë se kishte marrë një urdhër dhe listë me disa emra njerëzish nga Sabit Shala që duhej të ekzekutoheshin. Ai ka thënë se nuk i kujtohen të gjithë emrat por është shprehur se është i bindur se disa prej tyre ishin Jet Karpuzi nga Shala, Ali Hoxha, Skender Hoxha nga Shala, Naim Shamolli, Vesel Sinani nga fshati Risinovc dhe Mursel dhe Naim Sinani vëllezër po nga fshati Rusinovc.

“Sabit Shala dhe Fatmir Limaj më kishin thënë që këta njerëz patjetër duhej të ekzekutoheshin por kurrë nuk më kishin thënë arsyen. Fatmir Limaj më kishte thënë më herët se kurdo që të shihja spiunë e kisha mandatin që t’i vrisja”, ka thënë dëshmitari për të shtuar se kishte shkuar personalisht në shtëpitë e të gjithë njerëzve që kishte në listë për t’i paralajmëruar për rrezikun dhe për t’i këshilluar që të mos dilnin.

 “Më kujtohet se Sabit Shala më dha një letër që vinte nga ‘Daja’, që do të thotë Fatmir Limaj me emrat e njerëzve që i përmenda dhe që duhej të ekzekutoheshin.

Unë nuk mund të vendosja nëse këta njerëz ishin spiun apo jo. Për këtë duhej të vendoste Gjykata Ushtarake që do të thotë nga persona me pozita më të larta”, ka thënë dëshmitari. Ai është shprehur se nuk donte t’i ekzekutonte njerëzit duke u bazuar vetëm në dyshime. Gjatë kohës sa kishte qëndruar në fshatin Shalë të Lypjanit, “X”-i ka thënë se ishin arrestuar dhe sjellë dy gazetarë serbë. Ata ishin ndaluar në një pikë kontrolli të UÇK-së teksa po ktheheshin nga Peja me një Yugo Florida. Gazetarët i ishin dërguar dëshmitarit. Për ndalimin e tyre dikush e kishte informuar Hashim Thaçin. Thaçi tash kryeministër i Kosovës dëshironte që t’i shihte personalisht dhe të bisedonte me ta. Ai kishte shkuar në Shalë por nuk ishte lënë nga dëshmitari të t’i takonte pasi që nuk e njihte autoritetin e tij përveç Limajt. Pas disa minutash Thaçi e kishte marrë Limajn dhe kishin shkuar tek dëshmitari. Mirëpo Thaçi dhe Limaj kishin një problem: nuk dinin serbisht. Si përkthyes kishin marrë dëshmitarin “X”. Kjo kishte ndodhur në fund të vitit 1998 apo në fillim të vitit 1999. Gazetarët ishin mbajtur për dy muaj në shtëpinë e “X”-it.

 “Hashimi më tha që t’i trajtoja shumë mirë gazetarët ashtu siç duhej të trajtoheshin të burgosurit. Nuk kishim të drejtë që t’i torturonim apo rrihnim. Për diku një
muaj gazetarët u mbajtën aty pastaj i dërgova në Shtabin Qendror të UÇK-së në Divjakë. Ata qëndruan aty për diku mbase një ditë dhe mund të shihja se ata ishin rrahur pak prandaj edhe i mora në shtëpinë time në Divjakë pasi që ndjehesha i përgjegjshëm, për ta”. Pas diku dy muaj nga arrestimi gazetarët u ishin dorëzuar përfaqësuesve të OSBE-së.

Sokol Dobruna aso kohe ishte kryetar i Gjykatës Ushtarake tub UÇK-së. Në një rast Dobruna i kishte thënë dëshmitarit se ishte i ngarkuar me të burgosurit dhe se askush nuk duhej t’i rrihte ata.

Dëshmitari e ka përshkruar Sokol Dobrunën si njëri të mirë. Sokol Dobruna i kishte thënë dëshmitarit që të mos e merrja asnjë të burgosur pa nënshkrimin e tij.

Në ditarin e tij dëshmitari ka shkruar emrat e të burgosurve, Ruzhdi Sefullahu, Gazmnend Imeri, Ilaz Zenuni, Shefki Kastrati, Afrim Koqollari. Në këtë ditar ai kishte shkruar se Bali Krasniqi nga fshati Carrallukë ishte liruar më 21. 03. 1999 nga Fatmir Limaj, mirëpo sipas tij lirimi i tij ishte bërë me qëllim që më pas ai të vritej. Në ditarin e tij ndodhet edhe emri i Imer Gjafiqi nga fshati Piranë i cili kishte punuar në MUP në Prizren. Ai ishte sjell në Kleçkë më 16 shkurt 1999, teksa nga burgu ishte nxjerr nga Arben Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi dhe gjysmë ore më vonë ishte vrarë. Ai ishte marrë bashkë me Sherafedin Ajeti.

“Dua të qartësoj se jo vetëm që i kam dëgjuar të shtënat por Naser Krasniqi, i njohur si Bashkim Fino, Naser Shala, dhe Nexhmi Krasniqi po ashtu më kanë thënë se e kanë vrarë Imer Gjafiqin dhe Sherafedin Ajetin në Livadhin e Canit. Po ashtu dua të theksoj se i kam parë disa herë tek rriheshin Imer Gjafiqi dhe Sherafedin Ajeti nga Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Hajdar Hoxha, Sabit Shala dhe Fatmir Limaj. Më kujtohet se ata më së shumti i shqelmonte Fatmir Limaj”.

Edhe emri i Arben Avdyli nga fshati Dobrashevc ka zënë vend në ditarin sekret të dëshmitarit. Ai ishte sjell aty me 21 mars 1999, ishte liruar nga burgu por një ditë më vonë është arrestuar sërish dhe ishte vrarë. Dëshmitari ka thënë se e kishte parë në fushë afër burgut gjersa sillej në drejtim të burgut, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, dhe Refki Mazreku (Vand Damme v.j.) ishin më të. Jo larg burgut ai është vrarë. Diku 20 ditë pas vrasjes se Arben Avdylit sipas dëshmitarit ishin ekzekutuar katër serbë (gjerësisht sot në “Kohën Ditore”.

SHPËRNDAJE