Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, iu ka shkruar letër publike sot kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, dhe nënkryetarit Agim Veliu.

Në këtë letër, Kokaj ka kërkuar që të shtyhet formimi i qeverisë deri pas përfundimit të pandemisë, pasi sipas tij, efikasiteti i menaxhimit aktual mjaft efikas, mund të ç’rregullohet dhe numri i vdekjeve mund të rritet.

“Dëmet e lartpërmendura të partive dhe skena politike do të jenë të pariparueshme. Ndalojeni, në këto ditë izolimi, turbulencat vijuese politike ,mos formoni qeveri mbi qeverinë, fërkime agresive kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Kokaj.

Kokaj po i fton Mustafën e Veliun të presin derisa të kalojë pandemia, e më pas të shkohet në zgjedhje.

“Ndaloni, thërrisni zërin e mendjes dhe të ndërgjegjes, prisni edhe disa ditë, kur gjithçka do të kthjellohet me zgjedhje të reja demokratike. Së fundi, brenda atdheut, të gjithë jemi vëllezër, thirreni inteligjencën emocionale, ndërgjegjen njerëzore, jepjani mundësinë rrjedhjeve të lëmuara demokratike civilizuese”, ka shkruar Kokaj.

Kokaj madje shkruan se është më Rugovist se Mustafa e Veliu, pasi ka banuar afër Ibrahim Rugovës në konvikt.

“Sa për Rugovizmin tuaj, më lejoni t’ju them se unë kam qenë më Rogovist se ju. Unë kam qenë mik i Ibrahim Rugovës, jetonim në dy dhoma konvikti afër derë-më- derë si studentë dhe miq shumë të ngushtë që ishim”, ka shkruar Kokaj.

SHPËRNDAJE