Kuvendi i Kosovës tash e disa seanca nuk është mbushur plotë me deputetët të cilët janë votuar nga qytetarët e Kosovës, tri vite më parë.

Shumica parlamentare që përbehet nga 55 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me kryesuesin e Kuvendit, Glauk Konjufca kanë “bojkotuar” tri seancat e fundit të jashtëzakonshme të cilat janë thirrur nga opozita.

Këto seanca janë thirrur nga përfaqësuesit opozitar pas publikimeve të disa “skandaleve” të partisë në pushtet, që lidhen me bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lilës me kryeterroristin serb i cili organizoi sulmin në Banjskë, Milan Radojiçiqin, tjetra seancë u thirr pas problemeve me furnizim me ushqim të ushtarëve të FSK-së ndërsa tjetra për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit si dhe bisedat e publikuara mes Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin dhe mes Mimoza Kusari- Lilës me Igor Simiqin.

Lëvizja Vetëvendosje duke mos marrë pjesë në këto seanca, ka “humbur” mundësinë që të sqarohen para kolegëve të tyre me të cilët ndajnë foltoret por edhe para qytetarëve.

Përveç seancave të jashtëzakonshme, tash e një muaj prej kur ka filluar sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës nuk është mbajtur asnjë seancë e rregullt e që për këtë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike së Kosovës, Abelard Tahiri e ka fajësuar shumicën parlamentare.

Tahiri për lajmi.net ka thënë se këto seanca nuk janë mbajtur për shkak të krizës në të cilën gjendet kjo shumicë parlamentare dhe paaftësisë organizative të saj është duke i kontribuuar dëmeve dhe pasojave të cilat i ka shkaktuar qeveria.

“Mospjesëmarrja e shumicës parlamentare në seanca përveçse dështim është edhe mungesë e vullnetit për të miratuar ligje dhe vendime me të cilat do të mund të përmirësohej sadopak jeta e qytetarëve të Kosovës. Pra, mospjesëmarrja në seanca është papërgjegjësi e shumicës parlamentare e cila vazhdimisht është duke u sjellë në mënyrë arrogante. Nga ana tjetër, ne si parti opozitare vetëm brenda 10 ditëve të kaluara kemi ftuar dhe mbajtur tri seanca të jashtëzakonshme në të cilat kemi trajtuar tema shumë të rëndësishme, të cilat, sa të natyrës urgjente, po aq edhe në interes të qytetarëve dhe Shtetit të së Drejtës. Afera e komunikimit të kryetares së grupit parlamentar të LVV-së me Milan Radojçiq, afera me faljen e borxheve milionëshe të ambalazhuesve të ujit nga qeveria si dhe mungesa e ushqimit për ushtarët e FSK-së, kanë qenë temat të cilat ne kemi diskutuar por fatkeqësisht as në këto seanca të jashtëzakonshme shumica parlamentare nuk ka ardhur”,  ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Ai ka thënë se refuzimi për të marrë pjesë në këto seanca, paraqet frikë nga ballafaqimi me të vërtetën dhe ikje të qartë nga përgjegjësia dhe llogaridhënia para qytetarëve.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konsideruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përballet në Kuvend e që sipas saj kjo nuk i përshtatej as kur ishte në opozitë.

Ajo në një përgjigje për lajmi.net ka bërë një krahasim të Lëvizjes Vetëvendosje sa ishin në opozitë dhe tani që janë në pushtet.

“LVV ka histori të braktisjes së seancave, vetëm se ka një dallim. Kur kanë qenë në opozitë zakonisht nuk pajtoheshin me politikat e Qeverisë, bllokonin seancat me gaz lotsjellës duke pamundësuar zhvillimin e tyre, nuk merrnin pjesë në votime kur nevojiteshin 2/3 e votave, si rasti votimit të marrëveshjes së parë kontraktuale më BE-në, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ku deputetët e LVV-së e patën lëshuar sallën, por tani duke pasur shumicën absolute në Kuvend, duke udhëheqë me qeverinë, duke pasur të gjitha nivelet e pushtetit nuk ka shpjegim mospjesëmarrja e tyre në seancë. Thjeshtë është ikje nga përgjegjësia”, ka thënë Bajrami për lajmi.net.

Ajo ka thënë se ndonëse qytetarët i kanë votuar për disa kërkesa, vetë partia në pushtet nuk po i realizon ato.

“Nuk janë vetëm tri seancat e fundit ku mazhoranca i ka ikë debatit, ka pasur edhe raste të tjera dhe kjo do të dënohet nga qytetarët me votë. Ka një vit që opozita e ka kërkuar një debat parlamentar për punën tri vjeçare të Qeverisë dhe ai debat nuk u mbajt asnjëherë, sepse s’ka rezultate, ka vetëm dështime dhe sipas tyre është me mirë që një temë e tillë të mos diskutohet fare. Tri seancat e fundit për furnizimin me ushqim të ushtrisë, koordinimi i qeverisë dhe grupit parlamentar të LVV-së me kriminelin Radojçiq dhe mandej shlyerja e paligjshme e borxheve të ambalazhuesve të ujit, janë të gjitha tema të pamundshme për tu mbrojtur, kështu që në mungesë të argumenteve mbrojtëse deputetët e LVV-së vendosën bojkotin e seancave, të vetëm gjë që dinë të bëjnë”, ka thënë Bajrami.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se këtë “indiferencë” të tyre ndaj qytetarëve, do ta paguajnë me vota më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Time Kadrijaj, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së ka thënë se në praktikat parlamentare opozita mungon në seanca të Kuvendit ndërsa tek ne po ndodh e kundërta.

Sipas saj, mospjesëmarrja e mazhorancës në Kuvend bën me dije se ata po i ikin llogaridhënies e transparencës dhe në bazë të kësaj nuk dëshirojnë të përballohen me problematikat të cilat sipas saj i ka sjell vetë kjo Qeveri.

“Qeveri jo transparente, jo llogaridhënëse dhe e korruptuar jashtë mase me tendera njëburimor dhe me këto përgjimet e fundit që kanë dal, kyçjen direkte të krerëve të kësaj Qeverie dhe të kësaj partie në çdo situatë dhe në çdo tender. Kjo ka qenë ikje prej përgjegjësisë dhe ikje prej përballjes me të vërtetën”, ka thënë Kadrijaj për lajmi.net

Ajo ka thënë se së paku kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do të duhej të merrte pjesë në këto seanca të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.

“Glauk Konjufca është dashur të jetë pjesëmarrës në këto, së paku për transparencë mirëpo ka qenë qëndrim i partisë dhe patjetër është dashur që edhe Glauku t’i përmbahet qëndrimeve të partisë në pushtet”, ka thënë Kadrijaj.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD ka thënë se në vazhdimësi Kuvendi është përballë me arrogancën e shumicës parlamentare ndaj diskutimeve dhe votimit të projektligjeve të rëndësishme, arrogancë kjo që sipas tij është shprehur ndaj opozitës parlamentare dhe në dhjetëra raste ndaj komenteve të shoqërisë civile në projektligje të caktuara.

“Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në Kuvend dhe moszhvillimi i seancave të rregullta ka ndikim të thellë negativ në funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Kur deputetët e pozitës nuk janë të pranishëm, kjo pengon procesin legjislativ dhe bllokon miratimin e ligjeve që janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënyrë, tashmë kemi një Kuvend të paralizuar nga mungesa e pjesëmarrjes së deputetëve të shumicës parlamentare në punën e Kuvendit. Për më tepër, mos-zhvillimi i seancave të rregullta, siç tashmë është bërë praktikë e rregullt, e dëmton diskutimin demokratik dhe ndihmon në krijimin e mungesës së informacionit për qytetarët e Kosovës. Ata kanë të drejtë të drejtë të informohen mbi veprimtarinë e Qeverisë që duhet të jetë llogaridhënëse para Kuvendit e kur Kuvendi dështon në detyrat e tij, kjo zvogëlon efikasitetin e qeverisjes dhe rrit pakënaqësitë e qytetarëve, çka mund të çojë në pasiguri sociale e politike”, ka thënë Jakaj për lajmi.net.

Jakaj ka treguar se përmes Nenit 41 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, parashikohet reduktimi i pagës bazë dhe kompensimit shtesë për deputetët që nuk marrin pjesë në seancat plenare ose në organet ndihmëse ku janë anëtarë. Sipas tij, rregullat e tjera për pjesëmarrjen e deputetëve dhe sanksionet për shkeljet e këtyre detyrimeve do të duhej të përcaktoheshin në Rregulloren e Kuvendit ose në një Rregullore të brendshme, por që deri më tani nuk janë miratuar. Prandaj edhe ndëshkimi për punën e tyre nuk mund të bëhet sepse vet ata janë përgjegjës për një rregullim të tillë.

Ai ka thënë se mungesa e pozitës në Kuvend, fillimisht është në mospërputhje me Kushtetutën dhe në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, bllokon miratimin e reformave dhe masave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për avancimin ekonomik, veçanërisht tek marrëveshjet ndërkombëtare.

“Një Kuvend, që nuk arrin të adresojë çështjet urgjente që prekin shoqërinë dhe për të garantuar një qeverisje më të përgjegjshme dhe efikase, ai Kuvend duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që t’u hapet rrugë deputetë të tjerë, me integritet dhe me përkushtimin ndaj shoqërisë”, ka thënë Jakaj për lajmi.net.

Realizimin e vetëm dy seancave si vazhdim të pikave të kaluara ai e ka parë si mungesë të organizimit dhe efikasitetit në Kuvend.

“Aktualisht Kuvendi punon pa planifikim të duhur ashtu siç kërkon edhe Rregullorja e Kuvendit, që në fillim të çdo sesioni duhet të miratohet Programi i Punës. Për më tepër, nëse seancat e rregullta nuk po mbahen me pika të reja të rendit të ditës, kjo tregon një dështim të menaxhimit nga ana e Kryesisë dhe grupeve parlamentare, veçanërisht të shumicës parlamentare në sigurimin e një agjende të qartë dhe funksionale për Kuvendin. Një situatë e tillë ndikon negativisht në procesin demokratik dhe në aftësinë e Kuvendit për të adresuar nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve”, ka thënë Jakaj.

Opozita e Kuvendit të Kosovës, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme edhe për sot ku do të diskutohet për keqmenaxhimin siç e quajnë ata të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo seancë do të filloj sot nga ora 12:00 ndërkaq deputetët e pozitës nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Neni 41 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit Neni 41 thotë “Nëse deputeti nuk merr pjesë në punimet e seancës plenare ose të organeve ndihmese të Kuvendit, ku ai është anëtar, paga bazë dhe kompensimi shtesë reduktohen. Nga ky reduktim përjashtohen rastet kur deputeti gjendet në detyrë zyrtare në funksionin e tij parlamentar”, si dhe “Rregullat e tjera për pjesëmarrjen e deputetit në punime dhe sanksionet e tjera përcaktohen me Rregulloren e Kuvendit ose me një Rregullore të brendshme të Kuvendit”.

Ndërsa Neni 42 i këtij Ligji thotë se “Deputeti nuk mund të refuzojë anëtarësinë apo pjesëmarrjen në trupat punuese të Kuvendit pa arsye objektive të pranueshme”.

Me mospjesëmarrje në tri seanca të jashtëzakonshme, deputetët e pozitës kanë shkelur dy Ligje të Kushtetutës së Kosovës.

Duhet përkujtuar që pas pushimit që Kuvendi pati pasur nga sezoni i verës dhe nisja e sezonit të ri, veç dy seanca janë zhvilluar edhe ato si vazhdim i pikave të mbetura. Madje këto seanca kanë mbetur përsëri në gjysmë, e në to kishte edhe marrëveshje ndërkombëtare që prisnin për t’u votuar.

Pavarësisht se pozita çdoherë njihen si të zëshëm për zhvillimin e seancave e praninë e deputetëve aty, me thirrjet për votim po kalojnë gati tri javë që këta të fundit s’po e shohin me sy sallën e Kuvendit, duke refuzuar të jenë të pranishëm për të diskutuar “skandalet” e publikuara e aq më pak për t’iu përgjigjur pyetjeve nga deputetët e opozitës.

E mungesa e krykuvendarit si përfaqësues i gjithë Kuvendit është parë negativisht nga thuajse të gjithë.

SHPËRNDAJE