NEUE ZURICHER ZEITUNG: Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, e prej kësaj jave dhe ish-Ambasadorja e Zvicrës në Argjentinë, Carla del Ponte, është kthyer në Zvicër.
Del Ponte, menjëherë pasi që lëshoi postin e diplomates në Argjentinë, i ka dhënë një intervistë të përditshmes së njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, rreth librit të saj “autobiografik” për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, si dhe rreth raportit të senatorit Dick Marty për tregtinë me organe të njerëzve në Kosovë.
Me librin e saj, ajo pati bërë bujë të madhe sidomos me akuzat e saj kundër shqiptarëve për tregti me organe, akuza këto të cilat nga ish-kolegët e saj në Hagë, si ish-zëdhënësja e Tribunalit, Florence Hartmann dhe së fundi edhe ish-Prokurori Jeffrey Nice, u quajtën të pabaza dhe të shpifura, por edhe u shfrytëzuan nga miku dhe kolegu i saj Dick Marty për raportin për krimin e organizuar dhe tregtinë me organe në Kosovë. Në intervistë, Del Ponte, mes tjerash ka kërkuar që t’i jepet rasti që ajo vet të hetojë në Kosovë për rastin e “tregtisë me organe”.
Del Ponte i ka thënë gazetës së njohur zvicerane që përkundër faktit që ajo shërbeu si diplomate, me “zemër” ka mbetur “prokurore”. Ajo ka pranuar se nuk e ka shijuar edhe aq punën e ambasadores, mirëpo e kishte marrë këtë post për të pushuar nga gjykatat.
E pyetur rreth shkaqeve se pse nga Ministria e Jashtme e Zvicrës i kishte ndaluar që të prezantonte librin e saj për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Del Ponte ka thënë se në fillim kishte patur “dritën e gjelbër” por më vonë Ministria e Jashtme ia kishte ndaluar këtë prezantim dhe se kjo i kishte shkaktuar “dhembje”.
E pyetur rreth Raportit të Dick Martyt për tregtinë me organe, raport ky i iniciuar pikërisht nga libri i saj, Del Ponte pranon se “natyrisht që kemi patur pak dëshmi për një aktakuzë, por indikacionet ishin serioze”.
“Unë i kam përmendur faktet për organet në libër në mënyrë që dikush të fillojë të hetojë ato që ne nuk kishim mundur t’i hetonim. Mirëpo ka patur edhe krime tjera në të cilat ne jemi penguar që të hetojmë”, thekson ajo.
Ndërsa e pyetur se çfarë duhet të ndodhë tashti, pas publikimit të Raportit të Dick Martyt, Del Ponte thotë se “duhet të formohet një institucion i pavarur ndërkombëtar i cili do të duhej të jetë përgjegjës për hetime dhe mbrojtje të dëshmitarëve”.
“Mua personalisht do të më interesonte që t’i merrja përsipër hetimet në Kosovë. Mirëpo e shoh që për këtë gjë nuk ka menduar askush. E njoh dosjen në fjalë mirë dhe lidhjet dhe kjo do të mund të bëhej shpejtë. Do të shohim se a ka vullnet politik për këtë gjë. BE-ja duhet të veprojë dhe amerikanët duhet të ndihmojnë”, ka theksuar Del Ponte për “Neue Zürcher Zeitung”.