Parlamenti i Zvicrës do të diskutojë të martën rreth rastit të Azem Sylës. Një deputet zviceran ka kërkuar sqarime rreth mashtrimeve të cilat Zvicra pretendon se i ka bërë Syla ndaj këtij shteti. E, deputeti kosovar e ka ndërmend t`i padisë gjykatat dhe mediat zvicerane për prishje të imazhit.

Emri i Azem Sylës ka arritur deri në Parlamentin zviceran. Këtë të martë, deputetët e Zvicrës do të diskutojnë rreth rastit të deputetit kosovar, të cilin ata e quajnë mashtrues. Zhvillimet e fundit si dhe informacionet e njëpasnjëshme mbi Azem Sylën tash kanë arritur që të jenë në rend dite në Parlamentin e Zvicrës.

E ai që ka bërë disa pyetje rreth çështjes së Sylës, është Walter Wobman, deputet i Partisë Popullore zvicerane, nga kantoni i Soloturn. Ai të martën do t’iu drejtohet deputetëve të tjerë, duke kërkuar nga ata që të zbardhin të gjitha mashtrimet dhe sjelljet që, sipas tij, ka bërë Azem Syla ndaj shtetit zviceran.

Duke u bazuar në një shkrim të mëhershëm të së përditshmes zvicerane, “Sonntags-Zeitung”, ku thuhej se ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla u mbështet financiarisht nga Zvicra për më shumë se 16 vjet, e i cili pavarësisht se është deputet i Parlamentit të Kosovës, vazhdon të kërkojë mbështetje edhe sot, Wobman ka përgatitur dy pyetje, të cilat do t’i parashtrojë në rend dite të martën, si pyetje parlamentare. “Si e lejon Zyra Federale një njeri që të lejojë këso abuzime të hapura, pa i sanksionuar, dhe cilat janë sanksionet që duhet aplikuar për këso abuzimesh”, janë pyetjet e Wobmanit, të cilat Parlamenti i ka pranuar si temë e rendit të ditës që do të shqyrtohen të martën.

E për ta quajtur mashtrues të shtetit, Sylën, Wobman iu është referuar disa shkrimeve, në të cilat thuhej se deputeti kosovar kishte kërkuar azil nga Entet zvicerane në vitin 1994, ku edhe iu pranua, por ai nuk punonte, duke marrë kështu ndihmë sociale vite me radhë. Nga kjo ndihmë sociale, thuhet se Azem Syla ka përfituar nga Zvicra 426 mijë euro. Për krejt këtë punë, Sylës i është anuluar Viza C, të cilën ai e posedonte qysh para luftës.

Express ka tentuar që gjatë gjithë ditës së shtunë të kontaktojë me Sylën nëpërmjet telefonit, por diçka e tillë ishte e pamundur. (Express)

SHPËRNDAJE