Bahri CURRI

 

Kjo temë ka të bëjë me njërin prej dy themeleve të besimit islam, gjegjësisht me njërin themel të dëshmisë islame – shehadetit; besimin në të Dërguarin e Allahut dhe dashuria ndaj tij. Shumë njerëz deklarojnë se e besojnë dhe e duan këtë të Dërguar, por shpesh ndodh që praktika e tyre e përditshme nuk përputhet me atë që deklarojnë. Këtë na e dëshmon edhe rasti i njeriut me Ibrahim Ed’hemin. Ku njëri nga banorët e Basrës e takoi Ibrahim Ed’hemin dhe i tha duke iu ankuar: Allahu xhel-le shanuhu në Kur’anin Famëlartë thotë:

“UD’UNI ESTEXHIB LEKUM” – “Më thirrni mua (kërkoni prej meje), Unë ju përgjigjem.” (Gafir, 60).

E ç’është me ne, i lutemi Allahut, por duaja s’na pranohet, kërkojmë nga Allahu xhel-le shanuhu, kurse përgjigje s’marrim dot. Vallë pse kështu?!

– Për atë se zemrat e juaja janë të vdekura, – u përgjigj Ibrahimi.

– E kush i ka vdekur ato? – pyeti ai.

– Dhjetë cilësi – u përgjigj Ibrahim Ed’hemi.

– Cilat janë ato? – pyeti përsëri ai.

Ibrahim Ed’hemi iu përgjigj duke i thënë se ato dhjetë cilësi janë:

1. E dini se Allahu xhel-le shanuhu është  Një dhe se e njihni Atë, por obligimet ndaj Tij nuk jeni duke i kryer dhe nuk jeni duke e adhuruar.

2. E lexoni Kur’anin Famëlartë, por s’jeni duke vepruar sipas tij, e as që doni të kuptoni nga ai (Kur’ani).

3. Thoni se e doni të Dërguarin e Allahut, por në bazë të suneteve të tij s’jeni duke vepruar.

4. Thoni se shejtani është armiku i juaj i madh dhe se e mallkoni atë, kurse ju përsëri jeni duke e mbajtur dhe e dëgjoni me plotë bindje.

5. Thoni se i frikësoheni vdekjes dhe se ajo është e vërtetë e pamohueshme, por për këtë s’keni përgatitur asgjë.

6. Thoni se i frikësoheni zjarrit të Xhehenemit, ndërsa trupin tuaj e keni lodhur me punë që çojnë në zjarr.

7. Thoni se e doni Xhenetin, kurse për këtë s’jeni të përgatitur, pasi që dëfrimet i keni shijuar në këtë botë dhe nuk keni bërë vepra që ju dërgojnë në të.

8. Kur zgjoheni nga gjumi, të metat e juaja i hidhni pas shpinës (veten tuaj e harroni), kurse të metat dhe veprat e turpshme të njerëzimit i zbuloni dhe i përgojoni. Nuk i shikoni punët tuaja, por i shikoni punët e të tjerëve.

9. I shfrytëzoni begatitë (nimetet) e Allahut dhe nuk e falënderoni Atë.

10. Shpesh i përcillni të vdekurit për në varreza, por nuk po mësoni nga kjo.

Andaj, s’do t’iu përgjigjet duaja!

Të nderuar lexues!

Allahu i Madhërishëm i dha njerëzimit dy libra të mëdha. Në njërin tregon fuqinë dhe madhështinë e Tij, ndërsa në tjetrin tregon dëshirën dhe vullnetin e Tij.

Libri i parë është Tërë Gjithësia, në të cilën na tregon për fuqinë e Tij se Ai është Krijuesi, Mirëmbajtësi dhe Sunduesi i tërë kësaj krijature, gjë që edhe vetë natyra me ligjet e saj dhe me dukuritë që mbretërojnë në të, na e dëshmon këtë. Këtë libër e shpjegojnë shkencëtarët e profileve të ndryshme si fizicientët, matematicientët, kimistët etj.. Madje edhe zbulimet e ndryshme shkencore vetëm sa e vërtetojnë dhe fuqizojnë këtë fakt.

Ndërsa libri i dytë është Shpallja Hyjnore, gjegjësisht Kur’ani, në të cilin Ai tregon dëshirën dhe vullnetin e Tij. Na tregon për formën e jetës me të cilën Ai është i kënaqur dhe e cila është e pranuar tek Ai. Këtë libër e shpjegojnë predikuesit e fesë, dijetarët e mëdhenj, e në krye të të gjithë këtyre është vetë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e që më pas dhe dijetarët e pasojnë rrugën e tij në shpjegimin e këtij Libri pas vdekjes së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

I Dërguari i Allahut aq mirë e kuptoi këtë mesazh nga Zoti dhe po ashtu në formë shumë të qartë e të lehtë ia interpretoi Umetit të tij. Ishte shumë i saktë në përshtatjen e jetës së tij me këtë libër (Kur’anin), andaj dhe Aishja radijallahu anha thoshte për të:

“Morali i tij (dhe e tërë jeta e tij) ishte Kur’an.”

Madje edhe sahabët që e pasonin rrugën e tij quheshin Kur’ana të gjallë për shkallën e lartë të përputhjes së jetës së tyre me këtë Kur’an dhe me jetën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Kjo është një prej arsyeve të fuqishme dhe motivimeve të larta se ne duhet ta duam  domosdoshmërisht shumë këtë Pejgamber. Po ashtu edhe për faktin se Allahu thotë në Kur’an:

“Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut.” (Nisaë, 80).

Ardhja e Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem si pejgamber ishte përmbushje e tre paralajmërimeve të mëhershme.

a)    Ardhja e tij ishte edhe si përgjigje e duasë së Ibrahimit alejhi selam ku gjatë rindërtimit të Qabes ai tha, siç e përshkruan Kur’ani Famëlartë:

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të Dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi..” (Bekare, 129).

b)    Ardhja e tij ishte edhe si vërtetim i paralajmërimit të Isait alejhi selam, i cili dha myzhde se do vijë një pejgamber pas tij me emrin Ahmed, gjegjësisht Muhamed. Kur’ani na rrëfen:

“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O Beni Israilë, unë jam i dërguar i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”.” (Saff, 6).

c)    Ardhja e tij ishte edhe përmbushje e ëndrrës së nënës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e cila kishte parë ëndërr para lindjes se nga ajo dilte një dritë e madhe që shndriste deri edhe pallatet e Shamit.

Në fakt Pejgamberi alejhi selam nuk e shndriti vetëm Shamin, por tërë botën me udhëzimin e tij shpëtues.

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është dhuntia më e madhe që Allahu u ka dhënë besimtarëve, Allahu thotë në Kur’an:

“Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164).

Vërtet me dhuntinë e të mësuarit dhe të pastrimit të tij, i Dërguari i Allahut e reformoi shoqërinë njerëzore, e shndërroi nga një shoqëri me vlera të ulëta në një shoqëri me vlera të larta. Bariun injorant të shkretëtirës e shndërroi në intelektual dhe shkencëtar të kohës, kriminelët dhe vrasësit gjakatarë i shndërroi në luftëtarë të lirisë, në aktivistë të drejtësisë dhe njerëz humanitarë. Nxori njerëzimin nga errësira e injorancës në dritën e dijes, nga egërsia në butësi e mëshirë. Thjesht ishte një pishtarë ndriçues me plotë kuptimin e fjalës. Allahu thotë për të:

“Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” (Tevbe, 128).

Po ashtu thotë:

“E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (Enbija, 107).

Allahu i Lartësuar e bëri Muhamedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem si shkaktar të udhëzimit të njerëzimit, udhërrëfyes në të mirë si dhe fitimtar të shpërblimit me Xhenet. Ishte përmirësues i gjendjes së tyre në fe dhe në jetë. Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Vërtet unë jam mëshirë dhe udhëzim” (Shënon Bejhekiu).

Ndaj dhe për këto arsye, dhe shumë të tjera, Allahu xhele shanuhu na obligon që ta duam këtë pejgamber, ta respektojmë, ta marrim si shembull të jetës sonë dhe ta zbatojmë programin e tij në përditshmërinë tonë, ta mbrojmë Sunetin e tij, ta përhapim rrugën e tij, etj.etj..

 

Në vijim do të përmendim disa nga shenjat që tregojnë dashurinë tonë ndaj këtij njeriu të madh e të dashur, Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Lusim Allahun që secili prej nesh t’i ketë këto shenja në veten e tij.

 

  1. Dashuria ndaj tij, menjëherë pas dashurisë ndaj Allahut

Dashuria e madhe ndaj tij, duke u radhitur menjëherë pas dashurisë ndaj Allahut të Madhërishëm. Të mos jetë askush para tyre në dashuri e respekt. Për këtë na dëfton hadithi që e transmeton Enesi:

“Kush disponon tre gjëra (apo tre cilësi), me to ka shijuar ëmbëlsinë e imanit: Të jenë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashurit tek ai se gjithçka tjetër, ta dojë një person vetëm për hir të Allahut, dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi që Allahu e shpëtoi nga ai (mosbesim) sikur që urren të hidhet në zjarr.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Po ashtu thotë:

“Nuk ka besuar ndonjëri prej jush (me besim të plotë) përderisa të mos jem unë më i dashur tek ai sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Me një rast tregohet se Umeri radijallahu anhu kishte shkuar te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i kishte thënë:

“Ja Resulallah, unë me të vërtetë të dua shumë, por më shumë e dua veten. Pejgamberi alehi selam iu përgjigj duke thënë: “O Umer, nuk ka besuar ndonjëri prej jush derisa të mos jem unë më i dashur tek ai sesa vetja e tij.” Atëherë Umeri r.a. i tha: Ja Resulullah, unë prej këtij momenti të dua ty më shumë se veten time.”

 

  1. Respektimi, madhështimi dhe përkrahja e tij

Simbol tjetër i dashurisë është dhe respektimi i këtij pejgamberi, vlerësimi dhe madhështimi i tij si dhe përkrahja e tij. Të pranohet me shumë respekt fjala e tij, por edhe të përhapet. Allahu i Lartësuar thotë:

“Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit.” (A’rafë, 157).

 

  1. Përshëndetja, lutja dhe salavati mbi të

Nga dashuria e madhe që kemi ndaj këtij të Dërguari ne dërgojmë përshëndetje e salavate mbi të. Një gjë të tillë e bën vetë Allahu dhe melekët e tij, e po ashtu edhe besimtarët muslimanë, madje ata janë të urdhëruar për këtë. Allahu xhel-le shanuhu thotë:

“Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzabë, 56).

Ndërsa Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Kush njëherë bjen salavat mbi mua (lutet për mua), Allahu për këtë salavat lutet dhjetë herë për të.” (Shënon Ahmedi).

Në të përmendurit e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka shumë bereqet e begati, nëse njeriu e bën vazhdimisht një gjë të tillë. Ibën el-Kajjim përmend më shumë se katërdhjetë dobi në salavatin ndaj Pejgamberit alejhi selam.

 

  1. Pasimi i Sunetit të tij në fjalë dhe në vepra

Simboli më i theksuar i dashurisë së besimtarit musliman ndaj Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është pasimi i Sunetit të tij, në fjalë dhe në vepra. E sidomos kur ky i Dërguar është shembull tipik i jetës islame në të gjitha sferat dhe segmentet e jetës. Andaj dhe Allahu na thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.” (Ahzabë, 21).

Ibën Kethiri lidhur me këtë ajet thotë: “Ky ajet fisnik është një themel i madh në pasimin e të Dërguarit të Allahut në fjalët, veprat dhe gjendjet e tij.”

Madje momenti më domethënës i shprehjes së dashurisë ndaj Allahut është vetë pasimi i rrugës së këtij pejgamberi, të cilën rrugë ia ka dëftuar Krijuesi i Plotfuqishëm, Allahu i Lartësuar. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31).

Andaj dhe besimtari obligohet që ta konfirmojë dhe rregullojë jetën e tij sipas këtij Suneti, të largohet nga hamendjet e tij dhe veprimet që nuk përputhen me sheriatin islam. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Kush shpik në çështjen (fenë) tonë diç që nuk është prej saj, ajo nuk pranohet.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Në një hadith tjetër thotë:

“Nuk ka besuar ndonjëri prej jush përderisa epshi i tij të mos jetë në pajtim me atë që kam ardhur.”

Madje na e tërheq vërejtjen duke thënë:

“Largohuni nga shpikjet (risitë) në çështjet (e fesë), ngase çdo shpikje shpie në humbje.”

Allahu thotë në Kur’an:

“E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej Allahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon popullin zullumqar.” (Kasas, 50).

 

  1. Mbrojtja e Sunetit të tij

Çdo besimtar që e do Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka për obligim ta ruajë dhe mbrojë personalitetin e këtij Pejgamberi si dhe Sunetin e tij. Ta mbrojë atë nga sulmuesit dhe etiketuesit e ndryshëm. Forma më e mirë e mbrojtjes është vetë praktimi dhe zbatimi i këtij Suneti në jetën e përditshme. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të sulmeve dhe ofendimeve të ndryshme që i bëhen Pejgamberit tonë të dashur nëpër karikatura e vizatime të ndryshme. Madje në kohën e fundit është bërë dhe një film dashakeq dhe ofendues për Pejgamberin e nderuar, i titulluar “FITNA”, pastaj edhe një tjetër më i fundit me emrin “INNOCENCE OF MUSLIMS” (Pafajësia e Muslimanëve). Të gjitha reagimet e besimtarëve janë për t’u përshëndetur, por në formën e drejtë e të civilizuar, e jo të bien pre e provokimeve dhe intrigave të jobesimtarëve dhe armiqve të Pejgamberit alejhi selam. Po e përsëris edhe një herë se forma më e mirë e mbrojtjes së Pejgamberit dhe Sunetit të tij është ngjallja dhe zbatimi i këtij Suneti.

 

  1. Nënshtrimi ndaj tij dhe moskundërshtimi i tij

Besimtari, nga dashuria që ka ndaj Pejgamberit, duhet t’i nënshtrohet atij e t’i bindet në të gjitha çështjet. Kurrsesi nuk guxon të bie në kundërshtim me të. Pejgamberi ynë i dashur thotë:

“Gjithë Umeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij, i cili refuzon. I thanë atij: E kush është ai, i cili refuzon, o i Dërguari i Allahut?! Ai u përgjigj: Ai, i cili më nënshtrohet hyn në xhenet, e kush bën mëkat ndaj meje (nuk më nënshtrohet), ai veç refuzon të hyjë në xhenet.” (Shënon Buhariu).

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Thuaj: Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët!” (Ali Imran, 32).

Në Sahih, në hadithin që e transmeton Enesi radijallahu anhu shënohet:

“Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, kur është kijameti? Pejgamberi i tha: Çfarë ke përgatitur për atë ditë? Ai iu përgjigj: Nuk kam përgatitur shumë agjërim apo shumë sadaka, përveç që unë jam një njeri që e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Atëherë Pejgamberi alejhi selam i tha: Ti do të jesh me atë që e do!”

 

  1. Zelli dhe dashuria e madhe për njohjen e sheriatit të tij

Ata që e duan Pejgamberin alejhi selam angazhohen me zell dhe afsh të madh për ta njohur dhe mësuar sa më mirë sheriatin e këtij pejgamberi dhe programin e tij. Pra ato janë Kur’ani Fisnik dhe Hadithi i Nderuar. Allahu thotë:

“Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin).” (Nahl, 44).

Andaj dhe mu për këtë qëllim janë angazhuar muslimanët në mbarë botën në të gjitha kohët për ta mbledhur, shënuar dhe studiuar tërë këtë dije me të cilën erdhi ky i Dërguar. Me këtë synim janë shkruar librat e hadithit si dhe verifikimi i transmetuesve të tyre. Janë shkruar hadithet në sahihe e në sunene si Sahihu i Buhariut dhe Sahihu i Muslimit, Suneni i Ebu Davudit, Suneni i Tirmidhiut, Suneni i Nesaiut, Suneni i Ibën Maxhes dhe të tjerë. Po ashtu dhe shumë musnede e xhevamiu (koleksione të ndryshme).

Të kësaj natyre janë dhe përpjekjet e ixhtihadet e dijetarëve të mëdhenj edhe në fushën e fikhut, e veçanërisht të katër imamëve të mëdhenj, të cilët janë dhe themelues të katër medhhebeve të njohura; Imam Ebu Hanife, Imam Maliku, Imam Shafiu dhe Imam Ahmed bin Hanbeli. Këta themeluan shkollat e tyre juridike të bazuara në studimet dhe ixhtihadet e tyre në argumentet e sheriatit islam me të vetmin qëllim: Njohja sa më e mirë e Sheriatit të Allahut me argumentet e sakta e burimore dhe ofrimi i tij njerëzve në formën më të lehtë, të kuptueshme e të zbatueshme në jetën e përditshme deri në ditën e kijametit. Andaj që të gjithë kanë argumente dhe janë në rrugë të drejtë.

 

  1. Të gjykuarit me sheriatin e tij

Sigurisht që besimtarët që e duan Pejgamberin alejhi selam, pasi që të njohin programin e tij, ata nuk hezitojnë të gjykojnë me sheriatin e këtij pejgamberi. Sidomos kur e kanë parasysh ajetin kur’anor:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” (Nisaë, 65).

Allahu i Lartësuar po ashtu thotë:

“O besimtarë, mos bëni asgjë para (se të orientoheni në udhëzimet e) Zotit dhe të Dërguarit të Tij.” (Huxhuratë, 1).

Që do të thotë: O ju njerëz, as mos folni e as mos veproni diç në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Ahzabë, 36).

Andaj dhe secili njeri, përkatësisht çdo besimtar, femër apo mashkull, e ka për obligim që çdo fjalë dhe veprim të tij ta bëjë vetëm në pajtim me Kur’anin dhe Sunetin.

 

  1. Të këshilluarit për të

Besimtarët çdo herë këshillojnë vetveten, por edhe të tjerët për këtë Pejgamber dhe Sunetin e tij. Këshillohen mes vete për ta besuar atë si të vërtetë si dhe për format e zbatimit të tij në jetë. Madje edhe përkrahen mes vete në këtë rrugë.

Imam Neveviu në shpjegimin e tij të Sahihut të Muslimit lidhur me këtë thotë: “Të këshilluarit për të Dërguarin e Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është të besuarit në mesazhin e tij, të bindurit në gjithë atë që ai ka sjellë, nënshtrimi ndaj tij në urdhra e në ndalesa, përkrahja e tij i gjallë dhe i vdekur, luftimi i kundërshtarëve të tij, përkrahja e ndihmëtarëve të tij, respektimi i vlerës së tij, ndihma e tij, ngjallja e rrugës dhe Sunetit të tij, përhapja e thirrjes së tij, zgjerimi i sheriatit të tij, ftesa dhe të edukuarit me rastin e leximit të tij, të ndaluarit nga fjalët dhe të mos flasësh pa njohuri rreth tij, respektimi i familjes dhe shokëve të tij, të pajisurit me virtytet morale të tij dhe me edukatën e shëndoshë, të duash ithtarët e këtij Suneti dhe t’i përkasësh kësaj përkatësie, si dhe të distancohesh nga çdonjëri që shpik në Sunetin e tij apo që zgjat gjuhën kundër ndonjërit prej shokëve të tij, e të ngjashme.” (“Sherh Muslim”, Pjesa 2, Vëllimi 1, fq. 38).

Ibën Kethiri thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është Imami më i madh, është obligim pasimi i tij. Ai ka përparësi para të gjithë pejgamberëve, ai ishte imami i tyre në Natën e Israsë në Bejtul Makdis. Ai është i privilegjuari me ndërmjetësimin e madh dhe me pozitën e lartë, Allahu e mëshiroftë dhe e nderoftë!”

 

Pas tërë kësaj, dashuria ndaj jonë ndaj këtij të Dërguari nuk guxon të na shtyejë që ndonjë ibadet, që është i dedikuar vetëm për Allahun, t’ia dedikojmë Pejgamberit, apo t’i drejtohemi me lutje e betime që janë të veçanta vetëm për Allahun. Fjala vjen nuk duhet të konsiderohet si zot e t’i drejtohemi atij me lutje e dua të ndryshme duke kërkuar nga ai plotësim të dëshirave e të nevojave. Po ashtu nuk lejohet të shkohet te varri i tij e të kërkohet ndihmë nga ai, nuk lejohet të betohet në emrin e tij apo në jetën e tij. I vetmi madhërim dhe respektim i tij është pasimi dhe zbatimi në jetë i Sunetit të tij.

Me një rast i Dërguari është hidhëruar me një beduin, i cili iu drejtua atij me një shprehje që e barazonte atë me Allahun duke i thënë: Do të bëhet çka do Allahu dhe ti. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u tha shokëve të tij:

““Mos më lavdëroni (mos më rritni) sikur që e lavdëruan (e rritën) të krishterët të birin e Merjemes (Isain). Unë jam rob i Tij (Allahut), dhe thuani: Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij!” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Pra, në të gjitha rastet, udhëzimi i drejtë dhe në rrugë të mbarë i njeriut është vetëm me nënshtrimin ndaj këtij të Dërguari dhe me pasimin e Sunetit të tij. Allahu xhel-le shanuhu thotë:

“Thuaj: “Respektojeni Allahun dhe respektojeni të Dërguarin!” Nëse ata refuzojnë, atëherë atij i takon përgjegjësia me çka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me çka jeni të ngarkuar, nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën.” (Nurë, 54).

Ibën Tejmije thotë: “Allahu ka sqaruar në Librin e Tij obligimet ndaj të Dërguarit: Nënshtrimi ndaj tij, dashuria e tij, përkrahja, respektimi dhe ndihma e tij, të gjykuarit me të, të pajtuarit me gjykimin e tij, moskundërshtimi i tij, pasimi i tij, lutja për të dhe salavati mbi të, t’i japim përparësi atij para vetes, para familjes dhe para pasurisë, për çdo gjë që kemi mospajtime e paqartësi të kthehemi tek ai (dhe Suneti i tij), e të tjera.” (“El-Fetava”, 1/68).

Allahu na e tërheq vërejtjen nga kundërshtimi i fjalës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe thotë:

“Prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të Dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët.” (Nurë, 63).

Ibën Kethiri thotë: “Rruga e tij është Programi, Suneti dhe Sheriati i tij. Fjalët dhe veprat e njeriut duhet të krahasohen dhe të peshohen me fjalët dhe veprat e të Dërguarit, nëse përputhen pranohen, e nëse nuk përputhen ato janë të refuzuara kushdo qoftë kryesi i tyre.”

Allahu përmend në Kur’an në më shumë se tridhjetë vende urdhrin për pasimin e të Dërguarit të Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Një prej tyre është dhe:

“O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të Dërguarit kur ai (i Dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë.” (Enfalë, 24).

Në fund fare, po e cekim dhe një transmetim tjetër të Enesit radijallahu anhu, i cili tregon:

“Një njeri erdhi te i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Ja Resulallah, si është puna e një personi që e do një person, por që nuk mund ta arrijë gradën e tij. Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i tha: Njeriu do të ringjallet, e do jetë me atë që e do!”

Enesi sa herë që e transmetonte këtë hadith thoshte në fund: “O Allahu im, vetëm Ty të dua dhe të Dërguarin Tënd!”

Andaj dhe ne po e përfundojmë këtë shkrim duke falënderuar Allahun e duke dërguar salavat mbi Pejgamberin tonë të dashur dhe duke thënë:

“O ALLAHU IM, VETËM TY TË DUA DHE TË DËRGUARIN TËND!”

SHPËRNDAJE