Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq do të zhvillojnë takimin e radhës më 27 shkurt në Bruksel.
Ky takim është ftuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Por, cilat janë pritjet e njohësve të çështjeve politike nga ky takim?
Azem Vllasi, analist politik thotë se nuk mund të pritet diçka e rëndësishme e as sensacionale nga takimi i së hënës.
Megjithatë, ka thënë se është më rëndësi që dialogu të vazhdoj.
“Pozita e Kurtit është më e mirë ngase propozimi franko-gjerman, në fakt evropian e i përkrahur nga SHBA në esencë është bazë e një marrëveshje mes dy shteteve. Kurti nuk duhet të heq dorë nga njohja reciproke mes dy shteteve, por poashtu duhet të kërkoi që Serbia ta heq Kosovën nga Kushtetuta e vet. Derisa kjo mos të ndodhë njohja edhe nëse ndodhë, mbetet një deklaratë joobligative. Vuçiqi e ka vështirë ngase ka problem përbrenda opinionit serb që vet e ka krijuar”, ka thënë Vllasi.
Më tutje, ai ka thënë se Vuçiq po synon si përfitim të nxjerrë Bashkësinë e Komunave me Shumicë serbe.
Vllasi ka një këshille për kryeministrin e Kosovës për çështjen e Asociacionit.
“Kurti nuk duhet për këtë çështje të konfrontohet me ta, por këtë duhet ta merr si punë të brendshme të Kosovës e që duhet të rregullohet në suaza të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës e jo si obligim ndaj Serbisë”, ka përfunduar ai.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se takimi i 27 shkurtit ka rëndësi të veçantë.
Asgjë, sipas tij, nuk mund të negociohet derisa të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.