Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi në një intervistë për “Presheva Jonë” ka foluar për gjashtë mujorin e tijë të parë në krye të kësaj komune, duke i nënvizuar disa prej punëve “ndryshe” që tashmë po bëhen në këtë komunë. z. Bulliqi ka folur edhe për raportin me këshilltarët e kuvendit komunal, për kundërkandidatët në zgjedhjet lokale të tetorit, për mundësinë e rikthimit në LDK, si dhe për raportin me lëvizjen Vetvendosje, ku thotë se do të jetë kandidat i tyre për një mandat të plotë në krye të Podujevës apo Besianës.

Kushtrim MALIQI dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim BULLIQI

“Presheva Jonë”: Kryetar, jeni në fund të mandatit të marrë në gjysmë nga ish-pushteti i LDK-së, sa keni arritur të punoni ndryshe, nga sic i keni quajtur ju vetë, punët e këqia të pushtetit të kaluar?
Shpejtim Bulliqi: Shiko, tashmë opinioni publik e din se ne kemi marrë një mandat dhjetë mujorë në qeverisjen e komunës së Podujevës, qështë e vërteta ne kemi trashëguar një buxhet i cili është i miratuar në vitin që kemi lënë pas, saktësishtë në shtatorin e vitit të kaluar dhe puna që ne kemi mundur të bëjmë është e imponuar mund të themi, nga pushteti i kaluar. Brenda kësaj, si ekzekutiv jemi duke bërë mendoj një punë të mirë në të gjitha ato projekte që janë paraparë për këtë vit. Deri më tani mund të themi se kemi realizuar diku 85% të projekteve të parapara, e ku nga ata që merren me prokurimin publik po marrim informacione se për herë të parë në këtë periudhë kohore ka arritur një numër rekord i aktiviteteve me prokurim publik, ky është një sinjal shumë i mirë për neve, ku sic e thash se shumica e projekteve ose është duke u përfunduar, ose jemi në fillim të ekzekutimit të tyre. Ndër shumë projekte, mund ta vecojmë atë dyvjecarë të sheshit të qytetit, me të cilin jemi të kënaqur sa i përketë punimeve ku jemi optimist se punët do të përfundojnë para afatit, kjo falë edhe angazhimit maksimal kompanisë, por edhe mbikqyrjes tonë nga afër.

“Presheva Jonë”: z. Bulliqi, derisa po bëheshim gati për intervistën, dëgjova duke komuniku me dikë prej stafit, ku një fjali që më bëri përshtypje ishte “Nëse nuk kryhen punimet sic jemi marrë vesh, nuk ka me e marrë asnjë cent”, a mundesh me na tregu për cka konkretisht bëhej fjalë, por edhe në përgjithësi, cila është qasja e komunës në raport me paranë e qytetarit?
Shpejtim Bulliqi: Puna e parë që do të thoja është ajo se ne kemi një transparencë të vërejtshme në raport me paranë e qytetarit, cka po na e lehtëson shumë punën, pse? Sepse nuk bëhet asnjë punë e veprim i kryetarit për të cilin nuk ekziston një raport ku qytetari mund të informohet detajisht. Konkretisht për atë që ju dëgjuat duke biseduar, është një projekt i cili nganjëherë po krijohet përshtypja se nuk po e ndjek ritmin e planifikuar, nuk mundet më në komunën e Podujevës të ekzistojnë operatorë ekonomik që mund të kryejnë punët shkel e shko, sa të jem unë kryetarë, nuk do të kemi prioritet fotografitë duke prerë shirita, por punët kualitative dhe të qëndrueshme, të cilat e arsyetojnë paranë e shpenzuar për to.

“Presheva Jonë”: Kryetar, një faktorë shumë i rëndësishëm në fitorën tuaj ka qenë diaspora për të cilët ju për herë të dytë po aplikoni hapjen e parkingut të komunës për të gjithë mërgimtarët, kjo ka filluar të aplikohet edhe në disa komuna tjera nga disa kolegë tuaj. Cka tjetër kemi paraparë për mërgimtarët, e dijmë se jemi në sezonin e verës, kur të gjithë ata vijnë në pushime?
Shpejtim Bulliqi: Unë dje kisha një aktivitet simbolik në kufin me Serbinë në Merdare, iu dhuruva qytetarëve ujë të ftohtë, iu dëshirova mirëseardhje si dhe i informova për gjendjen e rrugëve, sidomos për ata që vazhdojnë përmes Podujevës në qytetet tjera të Kosovës, që të kenë kujdes e që ardhjet e tyre në Kosovën e tyre të jenë vetëm për gëzime. Përveq asaj që e cekët në lidhje me hapsirën për parking, ne kemi planifikuar që në fund të Korrikut dhe në fillim të Gushtit të mbajmë javën e diasporës, ku kemi paraparë plot aktivitete në sheshin e dëshmorëve, ndër to edhe ndeshje boksi, ku synojmë që tu japim sado pak rekreacion atyre që mbajnë gjallë ekonominë tonë si vend, por edhe familjet e shumë prej neshë këtu në Kosovë.

“Presheva Jonë”: z. Bulliqi, pjesë e rëndësishme e punës së një kryetari të Komunës është edhe kuvendi komunal dhe këshilltarët në të. Cili është raporti juaj me kuvendin dhe këshilltarët?
Shpejtim Bulliqi: Unë mund të ju konfirmoj një gjë, prej që jam në krye të komunës, nuk ka pasur as edhe një të vetmën mbledhje të kuvendit në të cilën nuk kam qenë prezent, kjo ndër të tjera edhe për shkak se dua që nga afër t’i dëgjoj edhe vërejtjet e sygjerimet nga të gjithë, pavarësishtë nga cili subjekt vijnë. Ne mund të ju themi se deri tani kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, ju e dini se unë nuk e kam shumicën në kuvend, por deri sot nuk kam pasur asnjë aktivitet të rëndësishëm për qytetarët, e që më është penguar nga këshilltarët, me c’rast do të doja t’i falemnderoja sepse metëvërtetë janë duke e kryer punën ashtu sic duhet dhe në dobi të qytetarëve.

“Presheva Jonë”: Kryetarë, shumë shpejt na presin zgjedhjet e reja në nivel të komunave të Republikës, ju nga LDK-ja jeni larguar si i pakënaqur më ish-udhëheqjen e partisë, a është e mundshme që të riktheheni si kandidat i LDK-së, apo nuk ka ndryshuar asgjë nga hera e fundit kur ju kam pyetur e keni thënë se tashmë jeni pjesë e Vetvendosjes dhe si i tillë do të veproni?
Shpejtim Bulliqi: Qytetarët më kanë dhënë mundësinë të i qeveris, pjesa dërrmuese e qytetarëve të Podujevës e kanë kuptuar se në komunën tonë ka ndryshime, ato janë duke ardhur përditë e më shumë në dobi të qytetarëve. Sigurishtë se periudha e shkurtër kohora sa jam në krye të komunës nuk mund të rezultojë me mrekulli, por për këta gjashtë muaj sa jemi në detyre, kemi një numër të madhë të punëve të cilat qytetarët janë duke i vlerësuar. Unë i kam parë kundërkandidatët e mij, disa prej subjekteve veq i kanë shpallë kandidaturat, kam rrespekt për të gjithë ata, por unë besoj se kryetari i komunës duhet ta ketë një nivel tjetër për të udhëhequr me llapin, për cka mendoj se ne si subjekt politik i plotësojmë pritshmëritë e qytetarëve, ku kam besimin se në mandatin tim të ri, Podujeva do të ketë një pamje krejt tjetër, në cdo aspekt, për këtë nuk kam fije dyshimi.

“Presheva Jonë”: Për fund z. Bulliqi, cila do të ishte përgjigja juaj ndaj atyre që mendojnë se zgjedhjet në Podujevë i ka fituar Vetvendosje dhe jo Shpejtim Bulliqi?
Shpejtim Bulliqi: Shpejtim Bulliqi dhe Lëvizja Vetvendosje në komunën e Podujevës jemi një, unë e përfaqësoj LVV-në, jam kandidat i LVV-së, punoj për subjektin tim, por nga pozicioni i kryetari, unë punoj për qytetarin dhe kjo formulë nuk ndryshon kurrë. Ne jemi subjekt politik serioz i cili kemi premtuar ndryshim, atë jemi duke e bërë. Besoj se me një mandat të plotë politik pas zgjedhjeve, komuna dhe qytetarët e Podujevës do të kenë një qeverisje tamam sic e meritojnë.

SHPËRNDAJE