Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, në vizitën e tij të parë në Bruksel, në cilësinë e shefit të qeverisë, ka marrë sot porosi se dhënia e datës për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE do të varet nga përmirësimi i dukshëm i raporteve me Kosovën.

Daçiç këtë porosi e mori nga presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Presidenti i BE-së tha se mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së që një ditë, kur të përmbushen kushtet e njohura mirë, edhe Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve me Kosovën mbetet kërkesë vendimtare për hapin e ardhshëm të nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Jam i lumtur që qeveria e Serbisë ka dhënë instruksione për të lejuar një bashkëpunim të mirëfilltë rajonal. Por puna nuk përfundon këtu. Të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog duhet të përmbushen, e në veçanti marrëveshja për pikëkalimet. Duhet të gjendet një zgjidhje për situatën e paqëndrueshme në veri të Kosovës, një zgjidhje që do të përmirësonte jetën e njerëzve atje. Prandaj u bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian,” tha Van Rompuy.

“Isha i lumtur që dëgjova nga kryeministri se ai dhe qeveria e tij janë të përkushtuar për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian,” tha ai.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian, Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun sa i përket Kosovës dhe Metohisë, siç e quan Beogradi Republikën e Kosovës. Ai tha se qeveria e tij “nuk i vë në dyshim marrëveshjet e arritura tashmë në Bruksel.

“Siç keni parë, para dy ditësh qeveria ka dhënë instruksionet lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Serbisë në takimet rajonale dhe mënyrën e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të organeve të pushtetit nga Prishtina,” ka thënë kryeministri i Serbisë.

“Jemi të gatshëm për dialog jo vetëm për çështje teknike, por edhe politike dhe që niveli në këtë takim të jetë shumë i lartë. Gjasat për marrjen e datës për nisjen e negociatave është në duart tona. Atë që kërkojmë nga partnerët tanë është që të mos e lëvizin tabelën në të cilën shkruan “caku” dhe që të mos këtë kushte shtesë dhe zgjerim të kërkesave të përmendura në dhjetorin e vitit të kaluar.”/KD

SHPËRNDAJE