“Tre ditë më parë, ne i kërkuam Lulëzim Bashës, në cilësinë e ish ministrit të Transportit, ish ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm në detyrë atë ditë, një rrëfim të ndershëm lidhur me detyrime të tij që burojnë nga veprimet e tij dhe ligjet në fuqi! Lulëzim Basha nuk përgjigjet!”. Kështu u shpreh sot deputeti dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe sipas të cilit, Basha nuk përgjigjet për pasurinë dhe nuk përgjigjet për identitetin e tij të shumfishtë.
“Përgjigja e një ish ministri, nuk është një çështje personale, por një detyrim që rrjedh nga ligjet në fuqi që rregullojnë, marrëdhëniet e një funksionari publik me pasurinë e interesat dhe marrëdhëniet e një funksionari publik me dokumentat zyrtare. Mungesa e përgjigjeve prej tij, po kompromenton rëndë institucione kushtetuese të përfshira nga Lulëzim Basha të përgjigjen për të. Ne e konsiderojmë jo serioz dhe me gabime aritmetikore sqarimin zyrtar, shpërndarë dje nga ILDKP. Ne e konsiderojmë faj, mungesën e veprimit ligjor nga ILDKP për deklarimin e rremë të ministrit Basha lidhur me: shitjen e një prej shtëpive të tij të shumta, të shumpërfolurës shtëpi në Hollandë; shlyerjen e kredisë në shumën prej 199 726 euro me para që nuk egzistonin ligjërisht në kohën e deklaruar të shlyerjes së saj. Ne po presim që ministri Basha të përgjigjet për këtë mashtrim, ndërkohë që presim nga ILDKP veprim ligjor për këtë deklarim të rremë”, nënvizoi Braçe.
Braçe theksoi se ministri Basha ka pohuar dy ditë më parë se pasaporta e deklaruar në aktin noterial të blerjes së shtëpisë në Hollandë është shqiptare dhe cilësimi “amerikane” është një lapsus i noterit! “Ne kemi arsye shumë të forta të dyshojmë se është shumë më tepër se kaq! Është mashtrim me dokumente zyrtare në përfitim pasurie! Ndaj ne e sfidojmë sot ministrin Basha: Dorëzo pasaportën me numër 0160183! Ne po presim! Ndërkohë në i kërkojmë ministrit Basha: Dorëzo dhe gjashtë pasaportat e tjera të poseduara dhe të përdorura prej teje! Ne po presim! Të gënjesh në fushatë elektorale është e para për politikanë të llojit “Basha”! Të përfshihesh në mashtrim të shumfishtë nga detyra e ministrit është shkelje e ligjit dhe ndëshkimi i tij është i pari për qytetarët!”, këmbënguli Braçe.