Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe akuzoi sot mazhorancën për kontrabandën e naftës dhe abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

 

“Pasuritë kombëtare si burime të ekonomisë kombëtare, nuk janë më të shqiptarëve por të “qeveritarëve” dhe “familjarëve”. Shqiptarët e zakonshëm nuk kanë mundësi ti përdorin pasuritë e tyre për të mbijetuar; “qeveritarët” dhe “familjarët” e jashtëzakonshëm e fuqiplotë, po i përdorin ato për tu pasuruar”, tha Braçe sot në një konferencë për mediat.

Ai u shpreh se abuzimet dhe krimet do të ndëshkohen. “Krimi ndëshkohet nuk votohet. Koha ka ardhur, është tani!”, tha ai, duke shtuar se ky është më korrupsion, por “krim i organizuar”.

“Nafta është pasuri kombëtare dhe e shqiptarëve. Qeveria po i shpronëson shqiptarët nga kjo pasuri e madhe. Nafta nuk është më pasuri e shqiptarëve por e “qeveritarëve” dhe “familjarëve”. Faktet e dala nga hetimi, dje dhe sot, dëshmojnë pikërisht këtë. Heshtja e Sali Berishës, dje dhe sot, dëshmon se Sali Berisha është zoti i plotfuqishëm i çdo pasurie kombëtare në këtë vend! Ai po shpronëson shqiptarët”, tha Braçe.

Braçe kërkoi sot nga kryeministri të tregojë se kush e ka të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve kombëtare të naftës dhe sa janë përfitimet e tyre vjetore dhe sa janë përfitimet vjetore të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga kjo pasuri.

Sipas tij nuk janë vetëm dy biznesmenë të përfshirë në kontrabandën e naftës, “por qeveritarë e familjarë ata që drejtojnë mafian e naftës”.

Ai shtoi se janë vetëm dy kompani të përfshira në këtë kontrabandë, “por dhe një e tretë e ngritur politikisht, administruar familjarisht, favorizuar administrativisht me katër vendburime kombëtare të naftës, që ka kryer të njëjtin krim, shitje të naftës bruto, të pa përpunuar, në tregun e brendshëm shqiptar në vitet 2009-2010; nuk ka qenë vetëm ARMO por edhe një tjetër kompani, që ka pjesë në mafian e naftës e që ka shërbyer në këtë operacion kriminal. Sasitë kanë qenë të mëdha dhe përfitimi edhe më i madh”.(noa)

SHPËRNDAJE