Piloti kosovar me nënshtetësi amerikane, James Berisha, i cili për pesë muaj rresht është mbajtur në paraburgim nga autoritetet e shtetit të Eritresë, ka arritur të enjten në Prishtinë.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe nga biznesmeni kosovar, Remzi Ejupi, të cilët ishin angazhuar për ta liruar atë, Berisha ka thënë se rrugëtimi i tij nëpër botë me aeroplan personal që ka pasur qëllim shtimin e njohjeve për vendin nga shtete të ndryshme ka rezultuar me paraburgosjen e tij dhe me ndërprerjen e përkohshme të këtij misioni.

Derisa ka treguar detaje nga arrestimi dhe paraburgosja e tij, gjatë një konference me gazetarë në Aeroportin e Prishtinës, ku është pritur edhe nga familjar dhe bashkëvendës të tij, Berisha ka pohuar se gjithçka ka nisur në Aeroportin e shtetit diktatorial, duke e cilësuar atë si agjent të Shërbimit Informativ Amerikan, meqenëse pasaporta e tij ka qenë amerikane.

“Po mos të kishte qenë zotëri Pacolli asnjë njeri i këtij vendi, i trojeve shqiptare nuk do të mund ta kthente James Berishen në Kosovë. Pesë muaj ditë në burgun e Eritresë, secila ditë në burgun afrikan ishte si me qenë një vjet në liri”, ka thënë Berisha duke treguar dy lecka, që sipas tij janë shkëputur nga batanijet e vetme që ka pasur për t’i shfrytëzuar si shtrat dhe mbulesa, raporton Zëri.

Piloti kosovar, veprimtaria e të cilit njihet me sloganin “Fluturo për Kosovë” është shprehur i inatosur në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se ka kohë që nga institucionet e vendit kërkon një pasaportë diplomatike, dhe që nuk i jepet një e tillë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë se ky ka qenë njëri nga misionet më të vështira të tij, meqenëse, është dashur që të negociohet me autoritetet e një vendi diktatorial të ngjashëm me Korenë Veriore. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE