Publikuar: 12.06.2011 – 15:00Londër, 12 qershor – Sulmuesi francez i Real Madridit, Karim Benzema, ia ka dërguar një foto nudo të tij një vajze 14-vjeçare, shkruan gazeta angleze “The Sun” të shtunën. Sipas gazetës, policia ka gjetur telefonin celular nga i cili është dërguar fotoja. Thuhet që telefoni i përket Real Madridit, klubit të Benzemas.

Familja e vajzës ka njoftuar policinë për këtë rast dhe hetimet janë duke u kryer.

Vajza 14-vjeçare kishte nisur të bisedonte në “chat” të rrjetit social “Facebook” me një person me emrin Karim Benze. Pas një kohe ai i ka dërguar vajzës foto nudo dhe po ashtu i ka treguar për skuadrën e Real Madridit dhe për udhëtimin në La Reunion.

Benzema 23-vjeçar ka mohuar të ketë bërë një gjë të tillë dhe të ketë pasur kontakt me vajzën 14-vjeçare. Por pas analizave të ekspertëve është kuptuar se telefoni nga i cili është kyçur në internet Karim Benze, është telefon i kontraktuar nga Real Madridi për përdorim nga stafi, drejtorët dhe lojtarët.

“Telefoni i takon klubit të tij”, ka thënë një zyrtar i policisë.

Nuk është hera e parë që Benzema akuzohet për afera me vajza të mitura. Në vitin e kaluar ai së bashku me yllin e Bayern Muenchenit, Franck Ribery, janë marrë në pyetje nga policia dhe kishin rrezikuar edhe me burg, pasi që ishte bërë publike afera e tyre me një prostitutë të mitur.

Benzema stinorin e fundit për Real Madridin luajti 48 ndeshje. Shënoi 26 gola dhe asistoi nëntë herë. 

SHPËRNDAJE