New York, 7 maj – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr qafesh Osama bin Ladenin. Njeriu që për 10 vjet kryesoi bindshëm listën e “njeriut më të kërkuar” të FBI-së ka lënë prapa një ekip me njerëz të rrezikshëm që kërkohen nga mekanizma ndërkombëtarë. E tash në krye të kësaj liste prin askush tjetër përpos “Kasapit të Bosnjës”.

RATKO MLADIC

Edhe pse është më i kërkuari i botës, askush ende nuk ka një “ide” të qartë se ku fshihet ai. Dyshohet se lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, strehohet diku në Bosnjë ose ndoshta edhe në Serbi. Mladiq konsiderohej dora e djathtë e liderit politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq. Ai është ushtarak serb që i ka më të përgjakura duart nga masakrimi i civilëve myslimanë boshnjakë. Për këtë dhe e ka fituar nofkën “Kasapi i Bosnjës”. Karaxhiq aktualisht po gjykohet për krime lufte dhe për gjenocid në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë. Mladiqi besohet se gjatë një marrëveshjeje armëpushimi ishte arratisur diku në kodrat e thella të Bosnjës dhe ishte fshehur atje. Ai akuzohet se gjatë rrethimit trevjeçar të Sarajevës kishte urdhëruar vrasjen dhe masakrimin e shumë civilëve. Mladiqi kishte orkestruar edhe masakrën masive në Srebrenicë në vitin 1995, ku të vdekur kanë mbetur më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Për kokën e tij janë ndarë shuma të majme parash: Serbia ka ndarë dhjetë milionë euro, ndërsa SHBA-ja edhe pesë milionë dollarë të tjerë. E kapja e tij është edhe një prej kushteve vendosur Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Joaquin Guzman: Guzman është trafikanti më i fuqishëm i drogës në Meksikë. Ai besohet se ka rritur aq shumë tregun e drogës, saqë ka kaluar përmasat e të famshmit, kolumbianit Pablo Escobar. “Chapo” apo “I shkurtri” drejton kartelin e Sinaloas dhe është përgjegjës për trafikimin e kokainës nga Kolumbia dhe nëpërmjet Meksikës e dërgon në SHBA. Guzman ka orkestruar hapjen e shumë tuneleve në kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-së. Njerëzit që e kanë parë nga afër mënyrën e qeverisjes së kartelit të tij kanë thënë se “I shkurtri” nuk fal as edhe gabimin më të vogël. Mijëra persona kanë humbur jetën në betejat e organizuara nga karteli i tij. Ai dyshohet se fshihet në Meksikë, pasi të ketë arritur të arratisej nga burgu më 2001, kur gjykatat meksikane kishin hapur rrugë për ekstradimin e tij në Amerikë, edhe pse ky shtet kishte ndarë një shumë prej pesë milionë dollarësh për kokën e tij.

Alimzhan Tokhtakhounov

Në Rusi, Alimzhan Tokhtakhounov është një biznesmen në Amerikë “njeri i kërkuar”. Ai është një matrapaz me prejardhje uzbeke që kishte arritur të përfitonte shuma të majme parash nëpërmjet korruptimit të referëve të futbollit dhe krimit të organizuar.
Ai kishte arritur në vitin 2002 të kurdiste çdo rezultat në Lojërat Dimërore Olimpike në favor të francezëve – për të cilin veprim është akuzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tokhtakhounov është një adhurues i madh i tenisit dhe Yevgeni Kefelnikov e ka mbrojtur “mikun” e tij nga akuzat.
Marat Safini ka thënë se nuk ka çfarë të thoshte për diçka që në fakt nuk ishte “problem imi”. E Anna Kournikova ka thënë se refuzon të flasë “pasi jam ruse dhe më duhet të kthehem në vendin tim”.
SHBA-ja akuzon atë uzbekun për përfshirje në trafikim droge, armësh dhe makinash të vjedhura.

James Bulger

Ky është njeriu që bën që kjo listë të ketë lidhje edhe me irlandezët. Emri i Bulgerit mund të gjendet në listën e “dhjetë më të kërkuarve” të FBI-së. Ai është në këtë listë që nga viti 1999 dhe tani ka fituar një vend më të lartë vetëm falë vrasjes së numrit një në listë, Osama bin Ladenit.
81-vjeçari është lider i “The Winter Hill Gang”, një grup mafioz imigrantësh me prejardhje irlandeze. Ky grup ka një lidhje të fortë familjare, por jo të gjithë anëtarët e familjes janë të njohur për të keq në SHBA. Vëllai i tij më i ri ka qenë presidentit i Senatit të shtetit të Massachusetts dhe rektor i Universitetit të Massachusetts. Bulger qysh nga fëmijëria kishte nisur të merrte të mbrapshtën. Ai ka një gjysmëshekull me veprimtari ilegale. Shumë agjentë amerikanë dhe evropianë do të donin ta kapnin Bulgerin pasi do të mund të ndihmonte për shumë çështje, përfshirë vrasje, zhvatje, shpëlarje parash dhe trafikim droge. Amerika ka ndarë dy milionë dollarë për kokën e tij.

Matteo Messina Denaro

Shefi “playboy” mafioz italian, Matteo Messina Denaro, i njohur po ashtu si “Diaboliku”, është në arrati që nga viti 1993. Ai dyshohet se është një prej liderëve kryesorë të grupit të famshëm mafioz, “Cosa Nostra”. Denaro besohet të ketë marrë drejtimin e grupit pas arrestimit në vitin 2006 të liderit Bernardo Provenzano. Denaro është një tip ylli. Ai kishte pushtuar ballinën e revistës italiane “L’Espresso”, kur ishte përshkruar si “Bosi i ri i mafisë”. Është i njohur për vrazhdësinë e tij, pasi kishte vrarë pronarin e një hoteli, i cili kishte akuzuar playboyin mafioz se po i çonte vajzat e reja në shtrat.
Qeveria italiane kishte nisur një fushatë për kapjen e tij, por ende ndodhet në arrati.

SHPËRNDAJE