Në prag të ditës ndërkombëtare të shtypit edhe  Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës i drejtuar nga z.Belgzim Kamberi  tradicionalisht ka bërë sot në Bujanoc prezantimin e monitorimit katër muajsh të mediave në Bujanoc dhe Preshevë, rreth gjuhës së urrejtjes në media dhe ueb portale të internetit. Si rezultat e këtij monitorimi përfaqësuesit e KDNJ-së theksuan se metodologjia e monitorimit të mediave ka qenë kryesisht kuantitative dhe nuk është alarmuese, por ato vërehen kryesisht në ueb portalet ne internet konkretisht në komentet e shkrimeve.

Shkruan: Valon BEGZADI

Bujanoc, 21 prill / AIK-Presheva Jonë

Gjatë katër muajve, përkatësisht prej muajit nëntor të vitit 2010 e deri në shkurt të vitit 2011, tre monitorues e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, të koordinuar edhe nga një koordinator qendror kanë monitoruar vazhdimisht raportimet e mediave vijuese si të TV “Spektri”, “Srpski Venac”, RTV “Bujanoci”, Radio “Ema”,  TV “Preshevës”, “kosovalindore.com”, “Vranjske”, “medvegja.net”, “presheva.com”, “Vranje Press”. Kurse RTV “Aldi” nuk është monitoruar në vazhdimësi për shkak të mungesës së transmetimit të vazhdueshëm të programeve vetanake, ndërsa revista “Nacional” nuk ka ekzistuar ende gjatë periudhës së monitorimit.

     Shpalosja e raportit u bë para gazetarëve që veprojnë ne Bujanoc dhe Preshevë dhe Belgzim Kamberi kryetar i Këshillit për të drejtat e njeriut në Luginë të Preshevë në konferencë për shtyp në sallën e vogël të shtëpisë së Kulturës ne Bujanoc të zhvilluar sot, tha se shkalla e gjuhës së urrejtjes në media nuk është aq alarmuese.

    “Atë që kemi mund ta vërejmë si Këshill i të Drejtave të Njeriu është që shkalla e gjuhës së urrejtjes në komunë të Preshevës dhe Bujanocit të mediave nuk është alarmuese, por ajo që kemi mundur të vërejmë është që ka mungesë të emisioneve të artikujve  të qasjes së parandalimit edhe “luftimit” të gjuhës së urrejtjes, gjithashtu kemi edhe mungesë të qasjeve mediatike sa i përket emisioneve që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi e posaçërisht me luftimin e gjuhës së urrejtjes”. Por një gjuhë e urrejtjes sipas Belgzim Kamberit është vërejtur në portalet informative në internet, ku përhapin gjuhë të urrejtjes e konkretisht në komente të lexuesve.

    “Ato nuk censurohen mjaftueshëm se më së shumti domethënë kemi raste në faqet e internetit. Nga ana tjetër nuk ka qenë qëllimi jonë që ne të zbulojmë ndonjë të vërtetë absolute sepse ne nuk jemi kompetent për këtë fushë, por me gjithë atë ne kemi mundur që të i ndajmë në katër boshte kryesore të shkeljeve të drejtave të njeriut nëpër media. Së pari kemi gjuhë të urrejtjes mbi baza nacionale me terma pozhurativ, shpeshherë, pra ndaj serbëve, ndaj shqiptarëve dhe ndaj romëve. Së dyti kemi raste të fyerjeve të dinjitetit të individëve nëpër artikuj të ndryshëm. Së treti kemi raste të homofobisë apo edhe mosrespektimit të barazisë gjinore nëpër media dhe së katërti kemi faktikisht, mediat përhapin nga një herë edhe thirrje për segregacion, qofshin ato media në gjuhën serbe apo në gjuhën shqipe”.

Monitorimi i KDNJ-së ka rezultuar me atë se mendohet që duhet të përforcohen kapacitetet e mediave posaçërisht të resurseve njerëzore, të punëtorëve që punojnë nëpër media, kur i përket çështjeve të drejtave të njeriut. Ky ishte rekomandimi i par që ka dal nga ky monitorim dhe së dyti duhet të rriten kapacitetet e mekanizmave të të gjitha organizmave që do ta rrisin funksionalitetin e institucioneve përgjegjëse për të i luftuar mbase edhe për të i ndëshkuar rastet e shkeljeve të drejtave të njeriut, ku përdoret gjuha e urrejtjes nëpër media.

Gjatë periudhës së monitorimit, KDNJ ka zhvilluar edhe katër seminare e tryeza të rrumbullakëta rreth kësaj tematike për të sensibilizuar dhe biseduar rreth problematikës dhe rrugëzgjidhjeve të mundshme.

SHPËRNDAJE