Udhëheqësit e BE-së e kanë paralajmëruar Rusinë se veprimi kundër Ukrainës do të rezultojë në pasoja masive dhe kosto të rëndë, pas shqetësimeve për grumbullimin e trupave ruse afër kufirit ukrainas.

Ky mesazh u dha pas samitit të fundit të Këshillit Evropian për këtë vit në Bruksel, ku u përmendën edhe masa të mundshme kufizuese kundër Rusisë, por nuk u publikuan hollësi, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express. Megjithatë, blloku gjithashtu inkurajoi më shumë diplomaci me Moskën.

“Çfarëdo agresioni i mëtejmë ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja serioze dhe kosto të rëndë si përgjigje, përfshirë masat kufizuese të koordinuara me partnerët”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të BE-së, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Pas samitit, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku është i gatshëm që t’i vendosë sanksione shtesë Rusisë.

Ende nuk është e qartë se çfarë mund të jetë cak i sanksioneve të përmendura. Një cak i mundshëm mund të jetë gazsjellësi i ri, “Nord Stream 2”, i cili e lidh Rusinë me Gjermaninë, por që ende nuk është vënë në funksion.

Udhëheqësit evropianë shprehën përkrahje për kthimin e dialogut katërpalësh mes Parisit, Berlinit, Moskës e Kievit, i njohur is formati i Normandisë.

SHPËRNDAJE