Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës Memli Krasniqi priti sot në një takim Drejtorin për Trashëgimi Kulturore dhe Natyrore të Këshillit të Evropës (KE), Robert Pallmer.

Me këtë takim, ministri Krasniqi u shpreh se trashëgimia kulturore në Kosovë është një nga çështjet me rëndësi të veçantë dhe vlerësoi lart punën e deritashme të Drejtorisë për Trashëgimi Kulturore të KE-së, për ruajtjen, kultivimin dhe kujdesin për trashëgimin kulturore në Kosovë. Ndërsa Drejtori Pallmer e informoi Ministrin për punën e deritashme të Këshillit të Evropës për trashëgiminë kulturore në Kosovë si dhe gatishmërinë e KE-së për të ndihmuar Kosovën në këto çështje, përkatësisht për ruajtjen, zhvillimin dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.

Në takimin ndërmjet ministrit Krasniqi dhe z. Pallmer, gjithashtu u diskutua edhe çështja e krijimit të mekanizmave më të fuqishëm dhe më funksionalë për koordinim në çështjet e trashëgimisë kulturore dhe veçmas për ruajtjen dhe kultivimin e saj, për të dakorduar se bashkëpunimi rreth çështjeve të interesit të përbashkët mund dhe duhet të thellohen edhe më tej, thuhet në kumtesën e MKRSK.

SHPËRNDAJE