Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PDSH-së dhe Grupit Parlamentar të saj, se do të votojnë kundër votëbesimit të Qeverisë për t’i dëshmuar BDI-së se nuk duan të jenë pjesë e ekzekutivit.
“Bashkimi Demokratik për Integrim asnjëherë nuk ka deklaruar një gjë të tillë dhe as që ka shprehur ndonjëherë drojë nga përsëritja e vitit 2006. BDI konsideron se legjitimitetin për përfaqësim të qytetarëve në Kuvend dhe në Qeveri e vendos sovrani me votën e vet të lirë dhe demokratike, në proces zgjedhor pa dhunë dhe frikësime”, thuhet në reagimin e BDI-së, teksa në Kuvend vijon diskutimi për nismën e votëbesimit.
Duke iu referuar vitit 2006, BDI e ka cilësuar veprimin e atëhershëm të PDSH-së një “aventurë të shkuar” që ka rezultuar dështuese.
“U dëshmua që partia e cila nuk e ka legjitimitetin shqiptar nuk mundet dhe nuk guxon ta përfaqësojë vullnetin e qytetareve sepse nuk mundet ta sigurojë as parimin e votës së dyfishtë për të realizuar demokracinë konsensuale, që në fakt përjashton mundësinë e majorizimit të shqiptarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e ka as edhe drojën më të vogël për përsëritjen e vitit 2006 sepse këtë nuk do ta lejojnë qytetarët shqiptar, por jemi të bindur se nuk do ta pranojnë as partitë politike Maqedonase të cilat u bindën se ky eksperimentim dështoi dhe nuk guxon të përsëritet”, thuhet në reagimin e BDI-së.Zh.mk

SHPËRNDAJE