Policia e Kosovës ka bastisur të enjten Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që drejtohet nga Faton Peci, pas raportimit të KOHËS për pagesën e 66 mijë eurove për heqjen e mobilieve nga ndërtesa që më parë shfrytëzohej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet janë autorizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave për të sqaruar rrethanat e çështjes.

Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

KOHA ka raportuar se 66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, ku për vite e pati selinë AAK-ja.

Ministria pagoi nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja të katit të dytë, por edhe nga bodrumi.

Shuma e njëjtë u dha edhe për tualete që nuk kanë inventarë, e krahas kësaj, për secilën nga to u pagua edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to u paguan 1 mijë e 500 euro.

Për këto shërbime dhe rinovimin e më pak se 600 metrave katrorë, Ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar 370 mijë euro.

Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë

Në Ministrinë e Bujqësisë të enjten është kryer një bastisje nga Njësitet Ekonomike të Policisë.

Ende nuk ka informacione se për çfarë është kryer ky aksion.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Policinë dhe ka dërguar pyetje te Ministria e Bujqësisë. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

SHPËRNDAJE