Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së, ka thënë gjatë raportimit në Komisionin për Qeverisje Lokale dhe Medie, se diskutimi për emërimin e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, i cili është bërë para 18 muajsh, dhe nuk ka pasur asnjë vërejtje as nga kundërkandidatët, është presion në transmetuesin publik.

“Jemi ftuar për të diskutuar për një proces që është kryer para 18 muajsh. Ne jemi ftuar të marrim pjesë rreth orës 3 pa kurrfarë agjende që i bie se është ftesë emergjente. Bordi i RTK-së është kolegjial që zbaton ligjin e saj në plotni”, tha Bashota, raporton Ekonomia Online.

“Për të gjitha procedurat prej shpallës së konkursit për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së, Bordi është konsultuar me sekretariatin e Kuvendit vazhdimisht”.

“Pas zgjedhjes së drejtorit asnjë nga kandidatët që kanë qenë në procesin e zgjedhës s’ka pasur asnjë ankesë. Çështja tjetër që është esenciale pra zgjedhja e organeve të tjera të RTK-së dhe raportimin për te po e konsideroj si presion”.

“Ne po e kryejmë procesin në mënyrë të rregullt. Më 10 tetor ne kemi marrë një padi. Njëra nga sindikatat e RTK-së ka bërë padi dhe mendoj që s’është mirë të ndërhyjmë në këtë proces. Dhe vendimin e gjykatës do ta zbatojmë qoftë pozitiv apo negativ”.

“Ju jeni deputetë dhe ne do ju përgjigjemi me kompetencë të plotë. Çdo diskutim që bëjmë sot kur jemi në përzgjedhje të stafit menaxhues është ndërhyrje jo e mirë”, theksoi kryetar i Bordit të RTK-së.

Deputetit i VV-së, Valon Ramadani, i cili ka iniciuar thirrjen e Bordit të RTK-së në Komision, mohoi se po bëhet ndonjë presion në RTK-në.

“Unë shumë thjeshtë e thashë është shkelur neni 32 i Ligjit për RTK-në. Ne e kemi diskutuar këtë çështje edhe njëherë, por s’ka marr epilog, andaj duhet sërish të diskutojmë. Sot është e qartë”.

Ardian Shala, anëtar i Komisonit nga LDK-ja tha se sot po diskutohet për një institucion të rëndësishëm publik siç është RTK-ja. “Çdo presion ose si po e quani është tentim i mbulueshmërisë. Ne po flasim për një shkelje ligjore, kur drejtori është zgjedhur pa 2/3 e votave”.

RTK ndodhet në proces të zgjedhjes së menaxhmentit ekzekutiv ku bëjnë pjesë pozitat e zv drejtorëve të përgjithshëm, drejtorit të televizionit, radios dhe pozita tjera për të vilat partitë në pushtet dhe VV po i bëjnë presjon Bordit të RTK që të shtyjnë njerëzit e tyre.

SHPËRNDAJE