Studimet nuk sugjerojnë që të bëhet biznes në Kosovë. Banka Botërore e radhit Kosovën në vendin e 117 për këtë kategori. Por, këto të dhëna nuk reflektojnë te Telekomi i Sllovenisë, i cili e ka renditur Kosovën në vendin e parë për të bërë biznes. Biznesi i kësaj kompanie, IPKO, ka dalë të jetë më i leverdishëm në tërë rajonin, ku kjo kompani ka investuar mbi 200 milionë euro. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti, biznesi i saj në Kosovë ka sjellë një fitim neto prej 8.8 milionë eurosh.
“Pas operimeve tona në Slloveni, kontributi i kompanisë IPKO në Kosovë, është më i rëndësishmi për Telekom Sllovenia Group .Vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti ne kemi pasur 8.8 milionë euro neto fitim”, tha të hënën kreu i Bordit të Telekom Sllovenia, Ivica Kranjçeviq, në konferencën për mediet kosovare në Lubjanë.

Gjatë prezantimit të të arriturave të kompanisë së tij në vitin 2011, Kranjçeviq, theksoi investimet e bëra në Kosovë, sipas tij, në vitin 2011 kapin shifrën prej 13.5 milionë eurosh.

“Vitin e ardhshëm planifikojmë t’i investojmë së paku 19 milionë euro në shërbimet e telefonisë fikse dhe të televizionit digjital”, theksoi ai.

Një vit më parë, kriza globale ekonomike kishte kapluar edhe Telekom Slloveninë, por këtë vit është më mirë në aspektin afarist, duke tejkaluar edhe parashikimet e saj. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti kjo kompani ka thënë se i ka tejkaluar pritjet për fitimin neto i cili ka qenë 28.1 milionë euro.

Kryetari i Bordit të Telekomit slloven gjithashtu ka thënë se kompania e telekomunikimit të cilën ai e drejton pret që deri në vitin 2015 të arrijë që fitimi i saj neto të jetë 100 milionë euro. Këtë ai ka thënë se do ta arrijë përmes planit strategjik të kompanisë dhe projekteve përkatëse nga ky plan, i cili përfshin edhe zgjerimin e fushëveprimit.

Për biznesin në Kosovë, IPKO-në, ka folur Robert Erzin, drejtor ekzekutiv. Ai thotë se ka synim bërjen e kompanisë së tij lider në tregun kosovar të telekomunikimit.

“Tani kemi 24 për qind të tregut në telefoninë mobile, 6 për qind në telefonin fikse, 57 për qind të TV digjitale dhe 53 për qind të tregut të internetit. Me investimet që do t’i bëjmë mendojmë të rrisim tregun tonë në Kosovë”, tha Erzin.

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, sipas tij, IPKO ka realizuar 54 milionë euro. “Përpos biznesit që bëjmë ne, kemi hapur rreth 500 vende të punës, paguajmë miliona euro për taksa dhe përkrahim shumë iniciativa qytetare, aktivitete sportive dhe kulturore”, theksoi Erzin.

Për fundvit ai premtoi ofrimin edhe të disa pakove të tjera të shërbimeve që sipas tij pritet të jenë njësoj si ato të këtij viti që sollën në IPKO çdo ditë nga një mijë klient të rinj në ditë.

“Do të ketë shumë befasi këtë fundvit për klientët tanë”, theksoi ai.

Erzin u krenua me faktin se telefonia e tyre mobile mbulon pothuajse tërë territorin e Kosovës.

“Ne menjëherë kemi investuar përkrah Qeverisë në mbulimin me sinjal të telefonisë mobile të autostradës ‘Ibrahim Rugova’ në tërë segmentin e saj”, tha në fund drejtori i IPKO-s.

SHPËRNDAJE