bardhyl-ajeti1

Më ka marrë malli me të pa me sy, më ka marrë malli të flas me Ty, të pi kafe me Ty, të grindem me Ty…Më ka marrë malli të rri me Ty, o miku im Bardhyl Ajeti! E malli im po digjet flakë derisa ti shtrihesh në arkivol, në varr! Ah në varr!

Bajrush-MorinaShkruan:  Bajrush Morina 

Pesë vjet ka zgjatur njohja jonë. Pastaj pesë ditë e pesë net, Ti në gjendje kome në Klinikën Univesitare të Prishtinës, e unë bashkë me më të dashurit e Tu, nënën, vëllaun, motrën, të fejuarën, pritnim, pritnim e pritnim që Ti të bëje më mirë, t’i hapje sytë dhe të na shihje neve, hijet e përlotura që nuk bënim gjë tjetër pos që pritnim një lajm të mirë me lot në sy.

Më pas, të përcollëm në Aeroport që të kthehesh shëndosh e jo në arkivol. Jo në arkivol miku im Bardhyl Ajeti!

 

Më ka marrë malli me të pa me sy….

Ka kohë që nuk kam qenë në redaksinë e gazetës “Bota sot” ku punonim së bashku dhe nuk di a do të mund të shkoj më. Nuk e di a do të mund të ulem në kompjuterin “tim” që ishte fare pranë kompjuterit Tënd. Është diçka e pamundshme, e pakthyeshme. Unë mund të shkoj, por Ti jo! E nëse ti nuk mund të vish, si mund të shkoj unë?

Te ai vend i punës, te ai kompjuter ne kemi folur shumë, tepër shumë. Kemi folur gjithëçka. Herë me zë e herë pa zë. Herë vetëm unë e ti përmes kompjuterit. Ti zakonisht flisje me zë të lartë. E nxirrje përjashta gjithë “misterin” e bisedës tonë “të fshehtë”.

Ah, sa më ka marë malli me të pa me sy, o Bardhyl Ajeti. Më ka marrë malli me të pa duke folur me të madhe, duke bërtitur nëpër redaksi.

Më ka marrë malli me të pa me sy, ulur pranë kompjterit Tënd o Bardhyl Ajeti. Me të pa të gjallë e jo kështu në arkivol, jo kështu në varr!

 

Më ka marrë malli të flas me Ty, o Bardhyl Ajeti!

 

Në telefonin 044 167 328 nuk përgjigjesh më Ti. Nga ky telefon nuk më thërret më. Zakonisht më thirrje ti. Ose ma cingërroje telefonin sepse e dije që jam në redaksi. Pastaj “…për 5 minuta jam aty, te Edi, te piceria italiane, te kino ABC”. Pastaj biseda të zakonshme, pa ndonjë rëndësi të veçantë. Gati të njëjta.

Kur Ti vëreje se unë nuk të besoja për diçka, e ke pasë zakon të përbeheshe në babën e motrën që të kanë vdekë, në nënën e gjallë e të sëmurë.

O zot, sa shumë po e ndjej veten fajtor tash që nuk të kam besuar edhe atëherë kur nuk më ke bindur.

Tash më ka marrë malli të flas me Ty edhe seriozisht, edhe të bëj shaka.

Oh, më ka marrë malli të ta dëgjoj zërin Tënd o Bardhyl Ajeti! Fol more fol, mos më rri i heshtur në arkivol, në varr!

 

Më ka marrë malli të grindem me Ty….

 

Dëgjo tash Ti Bardhyl! Hajt se mjaft fjete. Qohu dhe fol diçka pa lidhje. Bone ndonjë sjellje të lazdruar, prish diçka, bjeri tavolinës me grusht. Hajt pak prishe këtë heshtje monotone.

O njeri, nxjerre një fjalë prej goje, shtyjma karrikën ose fikma kompjterin tim. Hajt bre, prishmi nervat njëherë! Hajt se më ka marrë malli të përlahem me Ty. Të them çka është një e zezë prej gojës. Unë e di se në rastet e tilla nuk ma ke kthyer fjalën, nuk je grindur me mua. Ti veç më shikoje dhe pritje deri sa të më qetësoheshin nervat mua, derisa të më kalonte nervoza, derisa të pushoja së ulurituri me zë të lartë nëpër redaksi. E pastaj, ma hudhje në tavolinë një lemenkë “coca-cola”, dhe merrte fund “lufta” mes nesh.

Qohu edhe njëherë se dua të grindem shumë më Ty. Dhe mbaje mend nuk kam me të folë një kohë të gjatë! Po të bëj be se nuk kam me të fol, veç hajt tash qohu se mjaft fjete. Qohu, a merr vesh ti shqip, qohu se po du me u grind me Ty, më u përla me Ty, me të thënë gjithëçka, e pastaj, pastaj nja 10 minuta nuk do të flas fare me Ty. Do të hidhërohem 10 minuta. Qohu tash, qohu, a merr vesh shqip ti?!

 

Më ka marrë malli të rri me Ty, Bardhyl!

 

Ahi, bre po shumë më ka marrë malli të rri me ty Bardhyl! Hajt se po shihemi njëherë në redaksi e pastaj dalim me pi kafe. Ose a po shkojmë nesër në Gjakovë. Jo, unë në Gjilan nuk mund të vij. Rruga e larg edhe po përtoj me kalu nëpër Graçanicë.

Dëgjo tash, mos ma përzij me kos, se veç po më thua herë ashtu e herë kështu! Jo shkojmë nesër në Prizren, jo nesër në Mitrovicë, jo në Pejë! Mos më shtyj me u grind prapë me Ty tash. Bonu njëherë i vendsour. Po shkojmë ose nuk po shkojmë. Po rrimë ose nuk po rrimë. Qe, prapë duhet më të thënë diçka… Nejse! A fole me atë njerin për atë punën? E çka të tha ai? Si mbeti tash puna? Bonu more njëherë serioz dhe fol si flitet! Mos qesh more ashtu! Nejse!

A ke ndonjë ide se çka do të shkruash sot? Nëse ma paguan një “coca-colë” ta jap një ide. Nëse shkruan për këtë temë që folëm sot, nesër merre “pancirin” me vete!

O hajde të rrimë se më ka marrë malli o Bardhyl! Hajde se nuk po rrihet në punë, nuk po dilet me pi kafe! Hajde më shpejt e mos u vono. Kur të vjen afër redaksisë ma cingërro telefonin! Mos harro, hajde!

 

…Ne po të presim të gjallë e ti u ktheve në arkivol!

 

E tash? E tash çka të bëjmë ne? Ne po të presim që të kthehesh i gjallë, i shëndosh, i shëruar, e jo në arkivol, Bardhyl! Jo në varr Bardhyl! Jo!

Ne po bëheshim gati për dasmën Tënde e jo për varrimin Tënd! Nuk i kemi pasë fjalët kështu, as atë ditë të 3 qershorit të vitit 2005 kur për herë të fundit u takuam. Atë ditë kur u ndamë e nuk u pamë më për së gjalli.

Mrupafshim Bardhyl Ajeti! Të fala Xhemës, Shabanit, Faikut, Smajlit, Ukës, Tahirit, Besimit, Bekimit….mos harro Bekimit! Mirupafshim!….Mirupafshim!….Mirupafshim!

 

(Këtë shkrim e ribotoj në 11 vjetorin e vrasjes së Bardhylit…Janë të njëtat ndjenja, i njëjti mall, e njëta dhembje! Vetëm Bardhyli nuk është më në këtë botë, e ky fakt ma këput shpirtin, m’i shkurton gishtat, më mbetet gulçima në fyt!…)

SHPËRNDAJE