Presidentja Atifete Jahjaga nuk ka lidhur kurorë me Astrit Kuçin, ndaj sipas ligjit atij nuk i lejohet shfrytëzimi i kompetencave dhe privilegjeve të “Zotërisë së Parë”. Por pavarësisht kësaj, njeriu me të cilin bashkëjeton Presidentja posedon pasaportë diplomatike dhe merr pjesë në takime të rëndësishme që zhvillon shefja e shtetit. Madje, në Nju Jork ai shkoi me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Astrit Kuçi ka udhëtuar në Nju Jork me paratë e taksapaguesve kosovarë dhe me një pasaportë diplomatike në xhep.

Stomatologu nga Prishtina po merr pjesë në takimet zyrtare që po zhvillon delegacioni kosovar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thjesht, ai po shfrytëzon çdo kompetencë dhe privilegj që, sipas ligjit, i jepet “Zotërisë së Parë”.

Por, ligjërisht ai nuk e ka këtë të drejtë.

Presidentja Atifete Jahjaga nuk e ka të kurorëzuar lidhjen e saj martesore me stomatologun Astrit Kuçi.

Ligji i Martesës përcakton se termi “bashkëshort/bashkëshorte” i referohet çifteve të kurorëzuar në komunë. Ndërsa ligji për Protokollin e Shtetit, duke iu referuar termit “bashkëshort/bashkëshorte”, i jep kompetenca dhe privilegje burrit apo gruas së shefit të shtetit.

Megjithëkëtë, Presidentja Jahjaga është parë në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në shoqërinë e bashkëshortit të saj. Po ashtu, Zyra e Presidentes ka dërguar edhe foto ku shihet Astrit Kuçi pranë Presidentes teksa kjo e fundit bisedon me diplomatin amerikan Filip Riker.

Kjo është shkelje e Nenit 22 të Ligjit për Protokollin e Shtetit.

Aty nuk flitet për “Zotërinë e Parë”, por nënkuptohet se në rastin e Astrit Kuçit, po të kishte kurorë me Atifete Jahjagën, do të mund t’i gëzonte privilegjet e “Zonjës së Parë”./EXPRESS

SHPËRNDAJE