Bruksel, 26 maj – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, vjen në Beograd e Prishtinë për të “konfirmuar përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane edhe Serbisë edhe Kosovës”. Po ashtu do ta mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës si veprim me rëndësi themelore për mënjanimin e pengesave në rrugën drejt BE-së, transmetojnë mediet komunikatën nga kabineti i saj në Bruksel.
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri në Beograd do të takohet me presidentin serb Boris Tadiq dhe shefin e ekipit negociator të Serbisë me Kosovën, Borisllav Stefanoviq.

Catherine Ashton, raportojnë sot mediet e Beogradit, do të sjellë mesazhin se “bashkëpunimi rajonal është fundamental për këtë perspektivë evropiane”, se “dialogu Prishtinë-Beograd është me rëndësi bazike për mënjanimin e pengesave në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, dhe se 27-ja evropiane dëshiron që i gjithë Ballkani Perëndimor të ecë përpara në rrugën evropiane.
“Ne dëshirojmë që të gjenden zgjidhje praktike që mund të përmirësojnë jetën e përditshme njerëzve të zakonshëm”, theksohet në komunikatën e shefes së politikës së jashtme evropiane.

“Njëherësh jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe Serbinë edhe Kosovën që të bëjnë përparim”, ka bërë me dije Catherine Ashton, e cila me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, do të nënshkruajë një nga marrëveshjet e mbetura ndërmjet BE-së dhe Serbisë.
Ashton dhe presidenti serb, sipas medieve të Beogradit, do të mbajnë një konferencë shtypi të përbashkët para gazetarëve në orën 19 e 30 minuta.
Nesër, pra të premten, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së arrin në Prishtinë ku do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi, me shefen e ekipit negociues të Kosovës në dialogun me Beogradin, Edita Tahirin, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacollin, shefin e diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ministren për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku.
Ashton vjen në Beograd e në Prishtinë një javë pas vizitës së presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe të Komisionerit për Zgjerime, Stefan Fule.

SHPËRNDAJE