Një gazetar kroat ka paditur Angelina Jolie duke e akuzuar se idenë për filmin ‘In the Land of Blood and Honey’ e ka marrë nga një libër i tij. Filmi tregon luftën në Bosnje dhe është hera e parë që aktorja është në rolin e skenaristes dhe regjizores.

Sipas gazetës njujorkeze ‘Daily News’, gazetari Josip J. Knezevic akuzon se Jolie e ka marrë idenë nga libri ‘The Soul Shattering’. Knezevic thekon në faqen e tij të internetit se është munduar të kontaktojë me aktoren e famshme dhe me GK Films që ka financuar filmin, por në mungesë të një përgjigjeje ka vendosur të shkojë në sallën e gjyqit për të kërkuar një dëmshpërblim.

Angelina Jolie ende nuk është shprehur mbi këtë çështje.

Filmi që do të shfaqet për herë të parë në 23 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon historinë e një dashurie mes një ushtari serb dhe një gruaje myslimane, të cilët janë të ndarë nga lufta. Gjithashtu filmi tregon për abuzimet ndaj kësaj gruaje në një kamp të burgosurish.

Në një intervistë para disa ditësh Jolie theksoi: “Kam menduar thellë mbi faktin se si disa persona dalin më të fortë nga një luftë dhe disa të tjerë shkatërrohen plotësisht.’

SHPËRNDAJE