Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të caktojë vlerën e mbushjeve telefonike që guxojnë t’i shpenzojnë kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat e vartësit e tjerë qeveritarë.
Në këtë vendim të Qeverisë, kryeministri guxon të shpenzojë 150 euro ndërsa zëvendësit e tij nga 100 euro.
Ministrat e Qeverisë së Kosovës do të pajisen me 70 euro, ndërsa zëvendësministrat me nga 50 euro.


Ndërsa këshilltarët politikë të kryeministrit e ministrave mund të shfrytëzojnë 30 euro mbushje të telefoni brenda muajit.
Përveç mbushjeve të telefonave mobilë, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar edhe vlerat e shpenzimit të telefonave fiks.

Kryeministri i Kosovës mund të shpenzojë deri në 100 euro në telefon fiks, ndërsa ministrat nga 70 euro.
Ky vendim do të hyjë në fuqi që nga 1 maji i këtij viti

Deri më tani, shpenzimet qeveritare për mbushjet e telefonit Qeveria e Kosovës i ka kryer duke u thirrur në një udhëzim administrativ të kohës së UNMIK-ut.

Sipas udhëzimi të vjetër, kryeministri i Kosovës ka pasur të drejtë të shfrytëzojë telefonin pa asnjë kufizim, ndërsa zëvendësit e tij deri në 250 euro.
Ministrat po ashtu kanë pasur të drejtë t’i shpenzojnë deri në 250 euro në muaj në mbushje të telefonit.

Deputetët marrin nga 30 deri në 250 euro mbushje telefonike në muaj. Shuma e mbushjeve që u takojnë deputetëve dhe krerëve të Kuvendit nuk ka ndryshuar prej vitit 2005 dhe 2008, përkundër që gjatë 10 vjetëve kemi pasur rënie drastike të tarifave të komunikimit përmes telefonit.

SHPËRNDAJE