naim-gashi-rtk-Konkursi i fundit për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë mendoj se është vazhdimësi e shkatërrimit të RTK-së, shkruan ndër të tjerash Naim Gashi anëtari i Bordit të RTK-së në një letër  dërguar punëtorëve të RTK-ë të cilën e ka siguruar Botapress.

 

Data: 7 qershor 2016

Naim Gashi, anëtar i Bordit të RTK-së ka shfaqur shqetësimet e tij për menaxhimin e RTK-së. Ai këto shqetësime dhe kundërshtime i ka shfaqur edhe një mbledhjet e Bordit por edhe në Kuvendin e Kosovës.

Pas mbledhjes së djeshme ku ka verëjtur tendeca për shkatërrimin e RTK-së përmes konkursve farse, Gashi ka adresuar këtë letër për të gjithë punëtorët e RTK-së, ku ka përmendur disa prej parregullsive të menaxhmentit aktual të RTK-së dhe ka premtuar se “…se nuk është e largët dita kur secili do të japë përgjegjësi për abuzimet dhe vendimet e paligjshme.

 

Botapress, ka siguruar këtë letër të cilën po e botojmë në tërësi.

Të nderuar punëtorë të RTK-së. Me respektin më të madh për punën që ju bëni dua t’ju njoftojë me qëndrimin tim për zhvillimet në RTK që nga marrja e kësaj përgjegjësie më 19 shkurt 2016.

Mendimet e mia për menaxhimin e RTK-së i shpreh vazhdimisht në Bordin e RTK-së, në takimet me menaxhmentin, në Kuvend-themeluesin tonë, por asnjëherë jo-në media dhe në rrjete sociale. Ju kisha lut që edhe kjo letër e imja të mbetet brenda shtëpisë sonë, sepse debati për RTK-në, duhet të mbetet brenda RTK-së dhe Kuvendit si themelues i tij.

Gjatë kësaj kohe të shkurtër që jam me Ju, kam vërejtur parregullsi të mëdha, sidomos financiare, keqmenaxhim të buxhetit, punësime pa kurrfarë kriteri, shkaktim të qëllimshëm të borxheve, shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore, raportim të rrejshëm në Bord dhe Kuvend, prokurime pa kriter dhe njëburimore, shkaktim të rrezikut nga paditë e jashtme, nepotizëm, gradime pa kriter…. gjithçka kam pa dhe për të gjitha jam distancuar dhe i kam kundërshtuar.

Dëshmi për këto kundërshtime të mia, mund t’i gjeni në protokollin e Bordit, por edhe protokollin e Kuvendit. Faktet për këto shkelje i kam dorëzuar në Bord dhe Kuvend. Fatkeqësisht zërat kundër këtyre dukurive janë pakicë në Bord dhe kjo i ka krijuar menaxhmentit komoditet për të abuzuar me paranë publike dhe për të abuzuar me Ju, me çka unë nuk jam pajtuar dhe nuk do të pajtohem asnjëherë.

RTK konsideroj se ka resurse të fuqishme, por fatkeqësisht ato resurse humane po mbyten nga një menaxhment që gradon të dëgjueshmit, jokompetentët dhe ata që mbyllin sytë para shkeljeve.

Unë ia kam thënë dje Bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm, i kam thënë më parë edhe Kuvendit se mënyra si po menaxhohet RTK, është tendencë për shkatërrimin e transmetuesit publik dhe bartjen e audiencës tonë të respektuar tek një televizion privat. Edhe konkursi i fundit për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë mendoj se është vazhdimësi e shkatërrimit të RTK-së.

E kam thënë dje në Bord, për shkak të respektit po ua them edhe juve, se konkursi i fundit për menaxhmentin e lart, por edhe konkurset tjera, janë një farsë, me të cilën unë nuk jam pajtuar dhe nuk bartë asnjë përgjegjësi. Sa për informimin tuaj, emrat e propozuar për menaxhmentin e lartë, janë sjellë tek ne 3 minuta para votimit në Bord. Ne nuk kemi pas asnjë informatë rreth procedurave të ndjekura dhe asnjë informatë për CV-të e kandidatëve, kualifikimet e tyre etj. Unë mendoj që Bordi është shndërruar në një patericë të menaxhmentit, që voton qorrazi gjithçka që i serviret, me përjashtim të tre anëtarëve.

Unë e kam kundërshtuar arrogancën dhe talljen e vazhdueshme që menaxhmenti ka ndaj Bordit, si institucioni më i lartë vendimmarrës në transmetuesin publik. Ne tre anëtarët e Bordit, z. Hisen Berisha, znj. Naime Beqiraj dhe unë e kemi lëshuar dje mbledhjen, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për vendimet që janë marrë. Më vonë jam informuar që edhe anëtari tjetër z. Aleksander Janicevic nuk ka marrë pjesë në votim.

 

Të nderuar kolegë të RTK-së, ju ftoj që ta nxisim debatin parimor brenda transmetuesit publik, por njëkohësisht ju lus që të punojmë së bashku për ta zhvilluar RTK-në, për t’i ruajtur asetet ekzistuese, për t’ia ngritur imazhin, sepse RTK nuk është pronë e menaxhmentit, është pronë e jona, e qytetarëve të Kosovës, që kanë investuar gati 200 milionë euro që nga paslufta në këtë institucion. Ju garantoj se nuk është e largët dita kur secili do të japë përgjegjësi për abuzimet dhe vendimet e paligjshme.

 

Me respekt, Naim Gashi.

SHPËRNDAJE