Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës theksoi sot se anëtari i Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër medieve dhe gazetarëve. 

Duke komentuar reagimet për emërimin e Luljeta Aliut për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, AGK thekson se Kurteshi, ka akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.

“Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se ‘AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!’. Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur ‘ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it’”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

SHPËRNDAJE