Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas tentim-sulmit ndaj drejtorit të Gazetës Express, Berat Buzhalës

AGK përmes një komunikatë thotë se është shqetësues lajmi për tentim-sulmin ndaj gazetarit Buzhala.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar njoftimin për tentim-sulmin ndaj gazetarit Berat Buzhala. Pas pranimit të informatave për këtë rast, AGK ka kontaktuar autoritetet për të marrë përgjigje zyrtare. Policia e Kosovës, në përgjigjen drejtuar AGK-së, ka bërë të ditur se është duke proceduar rastin dhe të gjitha veprimet hetimore janë në proces sipas procedurave ligjore dhe në konsultim me prokurorin kompetent”, thekson AGK-ja.

Duke e konsideruar këtë akt të papranueshëm, AGK kërkon nga Policia e Kosovës dhe të gjithë ata që janë të thirrur për të mbrojtur dhe ruajtur rendin e ligjin, hetim të menjëhershëm që kryerësit e kësaj vepre të dalin sa më parë para drejtësisë.

Ndërkohë, drejtori i Gazetës Express, Berat Buzhala, ka bërë të ditur se dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar ta sulmojnë pasditen e së shtunës në afërsi të një barnatoreje në Prishtinë

Sulmin ndaj Buzhalës e ka dënuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka ftuar organet e rendit që të merren me rastin.

“Tentim sulmi naj një gazetari është i papranueshëm, por edhe i dënueshëm prandaj ftoj Policinë të merret me këtë sa më parë”, ka shkruar Haxhiu.

Tentim-sulmin ndaj Buzhalës e ka dënuar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se sulmi ndaj Buzhalës është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe.

“Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe”, shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja gjithashtu ka ftuar autoritetet e rendit të merren me hetimin e rastit.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas tentim sulmit ndaj drejtorit të Gazetës Express dhe Televizonit 7. Thaçi thotë se një gjest i tillë është i pa pranueshëm në shoqërinë tonë.

“Tentim sulmi kundër drejtorit të “Gazetës Express”, Berat Buzhala, është i papranueshëm në shoqërinë tonë”, shkruan Thaçi.

Tutje, Thaçi tha se liria e shprehjes është përcaktëuese për zhvillimin e demokracisë.

“Shteti demokratik i Kosovës është ndërtuar mbi të drejtat e njeriut, ku liria e shprehjes është përcaktuese për zhvillimin e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, liderët institucionalë dhe politikë që të distancohen prej akteve të tilla”, përfundon presidenti.

Për tentim sulmin ndaj Buzhalës ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa, nëpërmjet  Facebook’ut ka deklaruar se është veprim i ulët tendenca për ta shkelur fjalën e lirë dhe mendinin ndryshe.

“Më shqetësoi lajmi për tentim sulmi të mbrëmshëm ndaj z. Berat Buzhala. Është veprim i ulët dhe meriton dënim nga çdokush që e vlerëson fjalën e lirë, mendimin ndryshe dhe kultivimin e vlerave demokratike në këtë vend”, ka thënë ai.

Tutje, Mutafa e ka quajtur akt frikacak një sjellje të tillë.

Buzhala përmes një shkrimi ka njoftuar se pranë një barnatore në Prishtinë, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur ta sulmojnë.

“Ne presence te kater pese vetave, te barnatorja Rexal ne Prishtine, dy vagabonda te Vetevendosjes deshten me me sulmu.”, shkruan Buzhala.

SHPËRNDAJE