Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një intervistë për RTK-në me gazetaren Qëndresa Krelani, ka folur për shumë tema, që nga periudha e pavarësimit të futbollit, deri tek ajo e tanishmja.

Ademi ka dhënë vlerësim maksimal për secilin prej krerëve të FFK-së në periudha të ndryshme, duke filluar nga Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani e Fadil Vokrri, e të cilat ai i ka ndarë në katër faza: Etapa e pavarësisë, etapa e rezistencës, etapa e ekzistencës dhe etapa e ndërkombëtarizimit, derisa periudhën e tij e ka vlerësuar si etapë të zhvillimit.

Duke folur për periudhën, siç e ka quajtur ai, të ndërkombëtazimit, i pari i futbollit kosovar është ndalur te paraardhësi i tij, Fadil Vokrri.

Ai ka thënë se në atë kohë ka qenë si nënkryetar i parë dhe ka qenë i afërt me të ndjerin Vokrri. “Normalisht emri i tij, figura e tij ka bërë shumë. Jo vetëm në arenën kombëtare po edhe në atë ndërkombëtare. Gjithsesi, Fadilin përveç se e kam dashur si futbollist, kam qenë edhe tifoz i tij. Fadili ka pasur shokë tjerë shumë më të afërt se unë, por kohët e fundit është e vërtetë se kemi pasur një lidhje të veçantë”, ka thënë Ademi, duke rikujtuar kohën kur Vokrri i printe federatës.

Ademi ka theksuar se me Vokrrin nuk e ka ndjerë veten vetëm si nënkryetar, por ka qenë në shërbim të tij në të gjitha mënyrat me qëllim të ndërkombëtarizimit të futbollit.

“E kam pas kënaqësinë që me Fadilin kam qenë jo vetëm si nënkryetar, por edhe si shoqërues, edhe shofer gjithçka që i është dashur, jam munduar t’ia lehtësojë punën sepse ka qenë periudha e ndërkombëtarizimit. Sigurisht se i kemi kaluar së bashku mundimet më të mëdha por edhe kënaqësitë më të mëdha”, ka thënë Ademi.

Ai është shprehur se ajo periudhë është e paharrueshme dhe sikur legjenda të ishte gjallë ai nuk do të ishte në këtë pozitë. ”Po të ishte Fadil Vokrri gjallë unë nuk do të isha kryetar i FFK-së dhe asnjëherë nuk do të konkurroja për këtë post, sepse ashtu e kemi pasur një lidhje me Fadilin. Por ja që ndodhi dhe sigurisht se duke pasur parasysh periudhën time prej 52 viteve si anëtar i futbollit, njerëzit që janë marrë me futboll më kanë propozuar dhe votuar uanimisht. Dhe jam munduar t’ua rikthej atë besim që ma kanë dhënë dhe mendoj se ja kam arritur qëllimit”, ka shtuar Ademi.

Ai ka thënë se tani në kohën e tij është periudha e zhvillimit. Ademi ka treguar se drejtimin e FFK-së e ka marrë me ‘zero pronë’ dhe tani ka arritur që asaj “t’ia krijojë një pasuri të paluajtshme prej 28.5 milionë euro”. Ai është shprehur i lumtur që kanë arritur të krijojnë “edhe një administratë të shkëlqyeshme në federatë”.

I pyetur se kur do të dihet emri i përzgjedhësit të ri të Kosovës, Ademi ka thënë se kjo çështje do të kryhet gjatë janarit. Ai ka thënë se po punojnë për të gjetur një trajner që është i përshtatshëm me objektivat e FFK-së.

Duke folur për refuzimet e disa lojtarëve për të luajtur për Kosovën, por edhe mosardhjen e Zhegrovës e Rrahmanit në ndeshjet e fundit të ciklit të kaluar kualifikues, Ademi ka thënë se të gjithë duhet ta dijnë se “Kosova mundet pa secilin”, mirëpo ka shtuar se “Kosova i ka dyert e hapura për secilin, sepse e kemi një Kosovë dhe duhet ta ngrisim lartë në të gjitha drejtimet”.

Megjithatë, Ademi ka kërkuar nga të gjithë që ta respektojnë ashtu siç e meriton fanellën dardane. “Kosova i ka dy uniforma të cilat duhet respektuar maksimalisht. Është uniforma e UÇK-së që i ka dhënë vendit liri dhe uniforma e ekipeve kombëtare, në të gjitha sportet jo vetëm në futboll, që këtij populli i jep krenari. Prandaj, duhet pasur shumë kujdes për këtë fanellë kushdo që e veshë”, ka thënë Ademi.

I pyetur se cilët lojtarë do të dëshironte t’i kishte sot në fanellën e Kombëtare së Kosovës nga periudha e kaluar dhe ajo e tashmja, ai është shprehur: “Fadil Vokrrin të asaj kohe dhe Granit Xhakën të kësaj kohe”.

Kur është pyetur për momentin më të vështirë në futboll, ai ka thënë se ai moment ka qenë ndeshja me Maqedoninë e Veriut. “Ka qenë momenti i parë që e kemi pasur mundësinë e kualifikimit dhe nuk e harroj kurrë”. Ndërkaq si momentin më të mirë e ka kujtuar mbrëmjen kur Kosova u bë kampion i Ligës së Kombeve në Ligën D, në fitoren 4:0 ndaj Azerbajxhanit, e ku Arbër Zeneli kishte shënuar ‘hat-trick’.

SHPËRNDAJE