Pas dy viteve, ajo thyen akullin dhe flet për jetën e saj private. Adelina është e dashuruar, asgjë tjetër nuk është më me rëndësi për të tani. Vajza e njohur e ekranit, e cila nuk ka të ndalur me projektet e saj, fillimin e këtij viti e bombardon me lajmin për dashurinë e re. Adelina Ismaili është e dashuruar në menaxherin e saj, Valin.Këtë rrëfim, këngëtarja e njohur e ka bërë në një intervistë dhënë televizionit “Klan Kosova” në fillim të këtij viti. ‘’Jam e dashuruar’’, ishin fjalët të cilat në fillim i kishte shprehur Adelina, ‘’Dhe kjo shihet’’, nën një buzëqeshje ka vazhduar rrëfimin. ‘’Ajo që ka thyer akullin në këtë drejtim kam qenë unë, pasi kur u takuam, mjaftuan vetëm dy orë që unë të dashurohem në të’’, tregon këngëtarja, dhe në sytë e saj shihet gëzimi e lumturia. E ka të vështirë, sepse jetën e saj private është munduar ta ruajë si sytë e ballit dhe asnjëherë nuk është rrëfyer, por vetëm për sukseset dhe karrierën e saj.
‘’E kam të vështirë, sepse nuk dua të bëhem demode dhe të ngjasoj si adoleshente në këtë rrëfim dhe pastaj njerëzit të më keqkuptojnë’’, tre gon këngëtarja. Njohja e saj me menaxherin Vali ka qenë thjesht e rastësishme, pasi këngëtarja kishte udhëtuar në Zvicër për të kërkuar dikë që do të menaxhojë karrierën e saj, të cilën e kishte synim që prej kohësh pas shkëputjes që kishte pasur nga e ëma Mona, e cila kishte marrë nën menaxhim Zanfinën. Gjithë suksesi, të cilin Adelina Ismaili e ka arritur në Zvicër dhe në Francë, mund të thuhet fare mirë se i takon profesionalizmit dhe zotësisë së menaxherit të saj, Val Krasniqi, pasi falë kontakteve dhe punës që ka bërë ai, Adelina sot po bën emër edhe në Europë, shfaqet nëpër televizione, revista e gazeta atje, ndërsa klipi i saj i fundit po bën xhiro në shumë shtete të Europës, në Ballkan dhe disa shtete afrikane. Në çdo lidhje ka grindje dhe konflikte, edhe për këtë gjë ka folur vetë këngëtarja, e cila ka thënë se është ajo e cila nxit debate.
‘’Mua më mungon Kosova, më mungojnë problemet, unë nuk jam mësuar të jetoj në një vend ku gjithçka është e rregulluar dhe nuk ka probleme, shpesh ndodh që marr telefonin dhe thërras dikë në Kosovë vetëm që të zihem, se me Valin kuptohem shumë mirë, por ndodh që kam nevojë të nxjerr atë mërzi të mbledhur dhe tentoj të zihem me veten nganjëherë’’. Adelina gjithashtu është pyetur se ku e sheh veten pas 5 viteve. Ajo me shumë sharm dhe klas tregon se pas 5 viteve veten e sheh të formuar si nënë dhe si një pedagoge e pianos, pasi është shkolluar në këtë fushë. ‘’Veten e shoh pedagoge të pianos ku edhe jam diplomuar, si dhe e përkushtuar si nënë, me disa Adelina të vogla pas vetes’’, ka theksuar këngëtarja.

SHPËRNDAJE