Legjenda e futbollit brazilian, Adriano, ka reaguar ashpër publikisht pasi një mashtrues arriti ta mashtrojë nënën e tij përmes një mesazhi të rremë në WhatsApp, duke i marrë më shumë se 15 mijë realë brazilianë, rreth 2.400 euro.
Në një video që u bë virale në rrjetet sociale, ish-sulmuesi i Interit zbuloi se mashtruesi ishte paraqitur si vetë Adriano, duke pretenduar se kishte ndërruar numrin e telefonit.
Përmes këtij mashtrimi, ai arriti ta bindte nënën e tij, Rosilda Ribeiro, që t’i transferonte shumën e parave.
Adriano u shfaq i revoltuar dhe i prekur në reagimin e tij publik, duke i dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë mashtruesit se paratë duhet të kthehen brenda 24 orëve, përndryshe do të përballet me pasoja.
“Nuk luhet me familjen time”, ishte mesazhi i qartë i ish-futbollistit, i cili përdori gjuhë të ashpër, duke theksuar se është i vendosur ta çojë çështjen deri në fund.
Rasti i Adrianos është një tjetër shembull i mashtrimeve gjithnjë e më të shpeshta përmes aplikacioneve të komunikimit, ku autorët shfrytëzojnë emra të njohur dhe besimin familjar për përfitime financiare.