Federata e Futbollit e Kosovës është ndërtuar mbi punën e qindra profesionistëve ndër vite. Çdo përpjekje për ta nënvlerësuar këtë histori siç bëri së fundi ish-avokati e një kohë ish-UD sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e pavërtetë.
Është thellësisht irrituese për komunitetin e futbollit që nga një ish-zyrtar i këtij institucioni të dëgjohen deklarata si: “nuk kam gjetur asnjë dokumentacion kur kam shkuar në federatë” dhe se “aty nuk ka njerëz profesionistë”. Këto pretendime jo vetëm që nuk qëndrojnë, por janë fyese për një institucion dhe një komunitet që për dekada ka ndërtuar struktura, procese dhe besueshmëri.
Ironia qëndron në faktin se për disa vite ai vetë ka qenë pjesë e kësaj federate dhe atëherë e lavdëronte, ndërsa sot përpiqet ta zhvlerësojë, shkruan Gazeta Arena.
Në deklarimet e tij të fundit në emisione sportive, Hodaj tha se nuk ka qenë në dijeni për vendimin e UEFA-s lidhur me ndalesën prej 50 mijë eurosh për Departamentin e Licencimit të FFK-së dhe se nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces. Mirëpo, kjo bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me faktet. Ai shihet në fotografi pas takimit të Departamentit të Licencimit me një zyrtar të UEFA-s për këtë çështje, një dëshmi e qartë se ka qenë i pranishëm dhe i përfshirë thellë në proces.
Kjo nuk është thjesht një mospërputhje deklaratash. Është një përpjekje për të ndërtuar një narrativë viktimizuese, duke u distancuar nga një proces ku vetë ka qenë pjesë, e njëkohësisht për të hedhur akuza ndaj institucionit që ia kishte besuar njërin prej posteve më të rëndësishme.
Një tjetër përpjekje për të rishkruar realitetin është pretendimi se ka hartuar statutin e FFK-së. Faktet janë të qarta: drafti përfundimtar i statutit është formuluar nga juristë eminentë të UEFA-s dhe FIFA-s, në përputhje me standardet ndërkombëtare të qeverisjes sportive. Çdo tentim për ta paraqitur këtë proces si meritë individuale nuk është vetëm i pavërtetë, por edhe fyes për këto institucione.
Këto deklarata nuk janë thjesht gabime. Ato janë pjesë e një strategjie për të hedhur baltë mbi FFK-në si institucion dhe për të shkaktuar zhurmë në prag të procesit zgjedhur në federatë. Por institucionet nuk mund dhe nuk duhet të mbahen peng nga ambiciet individuale. Prandaj, edhe sot ai nuk është më pjesë e federatës.
FFK, si çdo institucion serioz, nuk është e përsosur. Por ajo është ndërtuar mbi punën e qindra profesionistëve ndër vite. Dhe asnjë individ, sado i zëshëm në studio televizive, nuk ka të drejtë ta fshijë këtë histori për të justifikuar veten.
Në fund, e vërteta ka një veçori: mund të vonohet, por nuk mund të zëvendësohet. Dhe përballë fakteve, çdo narrativë personale bie.




