Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vizituar disa nga klubet vendore që po zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi, përfshirë FC Ballkani, FC Malisheva, FC Drenica, FC Prishtina e Re dhe FC Feronikeli 74.
Në një postim publik, Ademi ka vlerësuar punën që po bëhet në këto skuadra dhe përgatitjet serioze drejt vazhdimit të garave. Sipas tij, gjatë vizitave u pa qartë përkushtimi dhe disiplina e drejtuesve, stafit teknik dhe futbollistëve, si dhe investimi në përgatitjet fizike, taktike dhe mentale.
Ai ka theksuar se çdo klub po punon me seriozitet maksimal për të ndërtuar një sezon sa më të suksesshëm, ndërsa ka shprehur kënaqësinë për atmosferën pozitive dhe motivuese që mbizotëronte në secilin ekip.
“Momente të tilla të kujtojnë pse futbolli është më shumë sesa një lojë, është pasion, sakrificë dhe ëndërr”, ka shkruar Ademi, duke uruar suksese, shëndet dhe mbarësi për klubet në edicionin pranveror të Superligës dhe Ligës së Parë, me bindjen se puna dhe përkushtimi i tyre do të shpërblehen në fushë.






