Gjashtë vjet më parë, një dorë tinëzare shtiu dhe plagosi për vdekje kolegun tonë redaktorin e kolumnistin tonë të njohur Bardhyl Ajetin. Lajmi për plagosjen e bardhylit ishte një “sulm” i papritur për familjen e Bardhylit, për kolegët e redaksisë dhe për mbarë opinionin shqiptar që patën rastin të lexojnë shkrimet dhe kolumnet e Bardhylit përmes gazetës kombëtare “Bota sot”.

Plagosja e Bardhylit ishte tinëzare sepse u bë në mbrëmje të 3 qershorit të vitit 2005. pas 22 ditëve të përpjekjeve për jetë a vdekje, Bardhyli u nda prej nesh në spitalin e Milanos. Plumbat e plagosjes ishin vdekjeprues.

Gjashtë vjet pas vrasjes së Bardhylit, askush nuk është hetuar, askush nuk është arrestuar dhe askush nuk është dënuar. Madje edhe hetimet që filluan para gjashtë vjetësh janë “vjedhur” nga dhoma e dëshmisë dhe sot askush nga organet kompetente, Prokuroria dhe Policia nuk japin përgjigje për hetimet për vrasjen e Bardhylit.

Gazeta “Bota sot” disa herë ka kërkuar nga organet kompetente që të hetohet vrasja e Bardhylit por gjithmonë ka marrë përgjigje se “hetimet vazhdojnë” dhe asgjë më shumë.

Vrasja e Bardhylit është vrasje e fjalës së lirë!

Vrasja e Bardhylit është vrasje e fjalës së guximshme!

Vrasja e Bardhylit duhet të hetohet,e kriminelët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Nuk do ta harrojmë kurrë kolegun tonë Bardhyl Ajetin!

SHPËRNDAJE