Mbrëmë vonë në Kosovë u raportua për 26 raste të reja të infektuara me virusin Covid-19, 11 prej tyre janë familjarë nga Gjilani. Këta raportohet se janë të afërmit e vajzës që erdhi nga Gjermania, që u identifiku vetëm tre ditë më parë, shkruan Gazeta Metro.

Nga 26 taste të konfirmuara dje që të gjithë janë familjarë dhe kontakte të ngushta. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova.

Se një familje e tërë në Gjilan u infektua me koronavirus e konfirmoi edhe kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Ai njoftoi se 11 personat e prekur me koronavirus vijnë nga fshati Vrapçiq, e që janë familjarë të 20 vjeçares e cila u identifikua pak ditë më parë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo na njoftoi se nga të gjitha mostrat e marra sot në Gjilan, përkatësisht në Zhegër, Kravaricë, Cerincë e Vrapçiq, 11 anëtarë të familjes Shaqiri (Vrapçiq), si pasojë e infektimit nga anëtarja e familjes e cila ka ardhur nga Gjermania, fatkeqësisht rezultuan pozitivë me #Covid19”, ka thënë mbrëmë Haziri.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli dje në një lidhje direkte për media ka thënë se vajza që u prek nga pandemia nuk kishte treguar se udhëtoi për në Gjermani.

“Ka qenë një hezitim fillimisht, para se me u evidentu dhe me bashkëpunu me organet e shëndetësisë. Pacientja në fjalë fillimisht ka shkuar në Qendër të Mjekësisë Familjare, mirëpo ajo nuk e ka treguar tërësisht historinë e saj të udhëtimit, që ka udhëtuar nga Gjermania”, konfirmoi ai.

Kujtojmë se nga data 08.02.2020 deri me 23.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 690 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej gjashtëdhjetë e një (61) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 mars 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 372,444 raste të COVID-19 dhe 16,312 raste të vdekjes. Numri më madh i rasteve raportohet nga Kina (81,092), Italia (63,927), SHBA (41,569), Spanjë (33.089), Gjermani (27.558), Irani (23.049), Francë (16.689), Zvicër (8.547), Mbretëri të Bashkuar (5.837), Holandë (4.749), Austria (4,306), Belgjikë (3.743), Turqi (1.236), Greqi (695), Slloveni (442), Kroaci (315), Serbi (249), Maqedoni e veriut (136) , Shqipëri (104) dhe Mali i Zi (22)

SHPËRNDAJE