Nga Besi BEKTASHI

Padyshim një brez i ri sot, duhet të respektojë si Fan Nolin dhe Ahmet Zogun, të parin për eurudicionin dhe talentin letrar, por dhe opozitarizmin e madh, dhe Zogun për shtetarin dhe krijuesin e një momenti të rëndësishëm shtet-komb. Është e domosdoshme të bëhet kjo edhe për shumë e shumë figura të tjera, por edhe më pas, si shtetarë dhe opozitarë.

 

Ne duhet të biem në paqe duke larguar vitin 1944, që solli një ndasi të jashtëzakonshme dhe të jashtënatyrshme në Shqipëri dhe kombin shqiptar. Nuk ka figurë historike pa dritë hijet e saj dhe po të lexosh Konicën, e kupton se edhe veten ai e trajton po kështu.Megjithatë, megjithatë fashizmi dhe komunizmi, janë varrmihësit e ndjenjës kombëtare dhe ndasisë së madhe tashmë 68 vjeçare të shqiptarëve. Pse fashizmi? Fashizmi në rradhë të parë, sepse detyroi shqiptarët me anë të megalomanisë fashiste, dhënien jo të sinqertë të hapsirave shqiptare etnike, pushtimit të pabesë dhe megaloman… të përgjigjen pastaj me anë të komunistëve. Në një akt të paprecedent nga mendjet e sëmura fashiste si të Cianos kryesisht dhe pastaj vjehrrit të tij Duçes, por dhe të armikut të shqiptarëve Vittore Emanuelit si një dhëndër i Malit të Zi, jo vetëm kurora e të madhit, legjendarit dhe kryetrimit Gjergj Kastrioti, ju dorëzua një pinuci mbret, dhe malësorët dy metroshë ishin kokulur në Romë, por ju shpall edhe Greqisë “luftë” me dekret, duke bashkuar edhe Shqipërinë në këtë akt të paprecedent. Grekët e sotëm, akoma këtë akt e mbajnë për “gjendje lufte me Shqipërinë”. Italianët lanë eshtrat në Greqi dhe dolën jashtë Shqipërisë, por ndërprenë në 7 prill 1939, një shtet i cili fillon në vitin 1920 dhe bëri aq sa bëri në pothuaj 20 vite për të qenë shtet. Komunistët vetëm u forcuan nga fashizmi, u organizuan, u shtuan dhe pastaj filluan vëllavrasjen dhe denigrimin e çdo gjëje jashtë tyre. Sot… sot një shumicë arrijnë të besojnë se fashizmi “ka dhënë tokat shqiptare dhe ju leverdis nacionalizmi, sot një pjesë e di se Zogu kishte paren e fortë, ligjet dhe vendosi shtet, por sot sërish ka ndasi figurash. Neve nuk na leverdis, nuk na takon dhe nuk duhet ti lejojmë këto ndasi fëmijëve, sidomos me figurat e larta të kombit. Pse Enveri denigroi Zogun dhe tijtë, Fishtën dhe Konicën, dhe lejoi për interesat e veta shumë figura të tjera patriotësh, duhet kuptuar se sot shqiptarët edhe në eksperiencën 22 viteve demokraci, kuptojnë se nuk mund të ndahen në tradhëtarë dhe patriotë shqiptarët ideologjikisht sepse është faj i madh.Prandaj them se si Noli dhe Zogu, dhe po i marr si shembull midis të majtës dhe të djathtës duhen respektuar se janë tanët, janë shqiptarë! Sepse në saj të ndasisë akute që kemi edhe sot, të majtin dhe të djathtin e madh, e trajtojmë gati gati, si në rastin në fjalë. Nuk duhet të bien pre e vitit 1944. Në Spanjën e diktatorit Franko, kanë luftuar në një luftë civile të ashpër fashistë dhe komunistë spanjollë dhe kanë vrarë njeri tjetrin, por në fakt, një pjesë e madhe e tyre janë në një palë varreza dëshmorësh, sepse kishin dallim ideologjik, por Spanjën e donin të gjithë, edhe pse në mënyra të ndryshme. Do të ishte turp që tani mbas 68 vitesh të pompimit të armiqësisë së shqiptarëve kundër shqiptarëve, të vazhdojmë me larje hesapesh me njëri tjetrin si një ves i keq, dëmprurës sidomos për konsolidimin e kombit dhe shtetit shqiptar. Përmendore të patriotëve sipas diktaturës së Enverit kemi pasur, por sot patjetër që duhen shtuar dhe vepruar sipas idesë kombëtare për të gjithë ato figura statistësh dhe patriotësh, që nuk i kanë pëlqyer diktaturës, dhe që ajo si vetë njerëzit e tillë dhe fëmijët, dhe pasardhësit e tyre, i denigroi dhe i fundosi për të larguar edhe atë pak aristokraci dhe borgjezi të vogël, që sapo kishim formuar.
Në Gjermaninë e sotme, në saj të një kohe tjetër, na del se fëmijët aty “nuk para e njohin Hitlerin si diktator” dhe normalisht është një turp, kurse te ne, kaq shumë ka qenë e vendosur histeria e denigrimit të figurave, sa që shumë prej tyre mbeten jashtë piedestaleve shtetërore dhe kombëtare. Po e përsëris, se nuk ka figurë pa dritë hijet e saj, dhe bota e qytetëruar edhe për figura të mëdha i tregon këto dritë hije, por vendosja në piedestale e figurave të mëdha të kombit sikundër është edhe Zogu, përbën një ndreqje të madhe të historisë tonë moderne, dhe të shtetit shqiptar. Me zotësi, apo dinakëri, forcë dhe pse jo aftësi të mëdha, ky njëri arriti që nga një kaos oriental, pa themele të shtetit dhe gjuhës, të ligjeve dhe të ndasive të mëdha, të bëjë një shtet unitar. Të krijojë shkollën kombëtare, stemat dhe kostumin shtetëror kombëtar, njohje kombëtare të madhe dhe të fortë në botë, lekun kombëtar të fortë në Europë, pasaportën kombëtare të njohur dhe të fortë në Europë dhe botë, diplomacinë kombëtare, ushtrinë kombëtare dhe sidomos xhandarmërinë kombëtare, si një armë të shkëlqyer që nuk e kemi as sot e kësaj dite, dhe nuk mund të hidhen poshtë këto. Po ashtu, edhe për faktin se pothuaj të gjithë e dinë se në kohë të Zogut “hante qeni petulla”. Kongresi i Përmetit, ishte një diçka e zymtë dhe që nuk është ndrequr edhe sot e kësaj dite. E bukur është se akoma sot thonë “Pallati i Brigadave” kur në fakt është normalisht pallati i Mbretërisë Shqiptare, të cilën brigadat partizane e luftuan më shumë se armikun italian. Po, italianët pushtues u luftuan vetëm 2 vite si PKSH dhe Zogun rreth 72 vite që nga themelimi i PKSH-së. Madje, akoma vazhdojnë një pjesë edhe sot. E Zogu, në fakt komunistët nuk i trajtoi kaq keq, as i denigroi edhe pse arrestimet e tyre sidomos nga grupi i Shkodrës ishin një paralajmërim për çfarë do të ndodhte dhe që në fakt… ndodhi! Zogu, anëtarët e grupit komunist të Shkodrës (një prej të cilëve dhe babai im) vetëm i burgosi për pak ditë, dhe i liroi shpejt, kurse Enver Hoxha i pushkatoi, vrau pabesisht, dhe burgosi të gjithë komunistët shkodranë… pa përjashtim! Po pra, njerëzit e socialdemokracisë së parë të vërtetë shqiptare, por edhe komunistë. Emrat dhe mbiemrat janë aty dhe dihen të gjithë. Këto janë faktet. Një diçka e tillë e pakuptimtë dhe iracionale, duhet të përfundojë dhe kur ndonjë akademik, politikan dhe njeri mbi 60 vjeç që vazhdon me delire të tilla kur flet, është më mirë të ndërrojmë kanal, ose të mbyllin veshët, kush nuk është i zoti që në njërën anë ti hyjnë fjalët, dhe në anën tjetër ti dalin…!Një armiqësi e tillë e imponuar keqas, na ka bërë të jemi më “idiotët në demokraci” në të gjithë Ballkanin e sotëm. Na ka kthyer në njerëzit më të ashpër me njëri tjetrin, kur në Ballkan janë të ashpër raca me racën, dhe religjioni me religjionin. Jemi bërë budallenjtë e armiqësisë shqiptarë me shqiptarë, dhe vazhdojmë akoma delirin e prodhimit të tradhtarëve në saj të trashëgimisë iracionale që kemi, dhe kohës së gjatë që na është dashur të jetojmë në armiqësi me historinë dhe figurat historike në përgjithësi. Madje, duhen edhe disa shtatore të figurave të tjera patriote dhe të së majtës shqiptare që cilat Enver Hoxha dhe viti 1944, vrau fill mbas “çlirimit”, dhe që represioni dhe urrejtja për të edukuarin dhe kulturuarin, nuk lejoi të mbijetonin në politikën e majtë të vërtetë europianë. 100 vite pavarësi janë një lumturi për ne, por 68 vite ndasi kombëtare, duhen larguar, për figura dhe shtetarë apo patriotë shqiptarë, të denigruar dhe poshtëruar, shumë herë padrejtësisht që nga viti 1944.

SHPËRNDAJE