Librat e rinj

Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim libri “Ja si dua të informohem! Deutsche Welle në shqip, një zë europian në dy dekada, 1992 -2012” i autorit Arben Muka, i cili që prej 15 viteve punon si korrespondent në Shqipëri për këtë radio gjermane. Ky botim i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë ka në fokus produktin në 20 vite të programit në shqip të Radios Deutsche Welle.

Synon që të shikojë në disa aspekte kryesore rolin dhe ndikimin e këtij stacioni gjerman, jo vetëm në informimin e publikut me standarde të qëndrueshme gazetareske, por dhe në përcjelljen e frymës europiane te shqiptarët kudo jetojnë, në promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në realizimin sistematik të projekteve konkrete për kualifikimin në të gjitha nivelet të kolegëve nga redaksitë lokale etj. Siç e ka theksuar dhe autori në hyrje të librit, bëhet fjalë për “një kthim prapa në momentet më kulmore të angazhimit të redaksisë dhe rrjetit të korrespondentëve në terren të DW-së në shqip, në rrugën evoluese të formës dhe përmbajtjes së kontributeve në 20 vite, duke sjellë dinamikën e kalimit nga oferta vetëm me transmetimin audio të programeve, në performancën multimediale dhe zgjerimin e shërbimeve online, si përshtatje me zhvillimet e avancuara teknologjike dhe trendet e reja të preferencave që ka publiku për mënyrat e informimit dhe të argëtimit nëpërmjet internetit. Ky libër, i cili e ka huazuar titullin nga një spot identifikues i DW-së në shqip, mbështetet në radhë të parë në përmbajtjen e programeve në vite, që nga ‘koha e shiritave’ dhe deri në aplikimet e sotme dixhitale, duke ecur në gjurmët e ngjarjeve më të rëndësishme, duke u orientuar nga kronika, vlerësime, perceptime e qëndrime publike të bëra ndër vite.

Për të nxjerrë në pah rolin dhe ndikimin e Radios Deutsche Welle në 20 vite aktivitet në libër janë përfshirë dhe shumë opinione nga dëgjuesit e saj, njerëz të thjeshtë apo personalitete të jetës publike nga trevat ku jetojnë shqiptarët në botë.

SHPËRNDAJE