Ambasadori palestinez në OKB: Palestina përkrah pavarësinë e Kosovës

I pyetur rreth disa deklaratave të ambasadorit palestinez në Serbi, Muhamed  Nabhan, se gjoja “Kosova nuk ka qenë e okupuar” apo “paska qenë pjesë e Serbisë..”, ambasadori  Khraishi i ka thënë agjencisë “Presheva Jonë” se deklarimet e tille në mediet serbe nuk duket të jenë serioze dhe “mund të them se ato janë private, personale të tij, sepse dihen qartë qëndrimet e shtetit të Palestinës ndaj Kosovës”.

Gjenevë/UNO, 10 qershor/AIK-Presheva Jonë

Dr. Ibrahim Khraishi, ambasador i Palestinës pranë misionit të OKB-së në Gjenevë situatën në Kosovë e ka vlerësuar shumë të mirë në krahasim me kohën kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia, apo kur ishte pjesë e ish-Jugoslalvisë.

“Unë e njoh situatën mirë në Kosovë dhe Serbi, bile në këtë të fundit kam jetuar disa vite para më shumë se një decenie si përfaqësues i organizatave palestineze në Beograd. Si në Serbi, edhe në Kosovë gjërat kanë ndryshuar në kahe pozitive sepse dy vendet, si ish-rajone të Jugosllavisë, janë dy shtete në vete dhe më vjen mirë kur dëgjoj se mes tyre ka nisur dialogu, të cilin edhe ne e preferojmë më shumë se sa problemet të zgjidhen me kallashnikov”, ka deklaruar ambasadori Khraishi.

I pyetur rreth disa deklaratave të ambasadorit palestinez në Serbi, Muhamed  Nabhan, se gjoja “Kosova nuk ka qenë e okupuar” apo “paska qenë pjesë e Serbisë..”, ambasadori  Khraishi i ka thënë agjencisë “Presheva Jonë” se deklarimet e tille në mediet serbe nuk duket të jenë serioze dhe “mund të them se ato janë private, personale të tij, sepse dihen qartë qëndrimet e shtetit të Palestinës ndaj Kosovës”.

“Shteti i Palestinës, pra qeveria jonë mbështet proceset e filluara për integrimin e  Kosovës në bashkësinë evropiane dhe ndërkombëtare, ashtu siç përkrahim edhe pavarësinë e saj. Njohja e saj nga shteti ynë është vetëm çështje kohe dhe më shumë çështje diplomatike se sa politike. Ne kemi bashkëpunim të mirë me autoritetet e Kosovës, kemi pasur takime me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Rasti i  Palestinës dallon shumë pak nga ai i Kosovës”, ka theksuar pos tjerash diplomati palestinez në fund, duke shtuar se “dallimi i vetëm mes Palestinës dhe Kosovës ekziston vetëm aty se ju keni përkrahje më të madhe nga SHBA-ja, të cilën edhe ne jemi duke e kërkuar”.