Thonë se kur shqiptarët shkonin në Washington, në Senat e Kongres, për të kërkuar mbështetje e për të dhënë informacione mbi gjendjen në Kosovë, pyetja e parë e zyrtarëve amerikanë ishte: “A është me ju Jim Xhema?” Një senator ua tha fare hapur: “Po të keni më shumë njerëz si Jim Xhema, do ta fitoni më lehtë lirinë e Kosovës”. Ndryshe Jim Xhema ishte nje nejri i afer i Bob Dole, ky mik i madh i presidenti historik te Kosovës dr.Ibrahim Rugova dhe i shqiptarëve.shkruna agjencia e lajmeve “Presheva jonë” duke ju referuar nje gazete shqiptare ne Amerikë.

“Vija e kuqe” për Serbinë, nga ish presidenti Bush, më 1992, është meritë e Xhemës. Këtë e arriti në saje të lidhjeve që pati me ish senatorin Bob Dole. Ky i fundit e bindi presidentin Bush për t’i dhënë një mesazh qartë e të rreptë Beogradit: “Mos sulmo Kosovën se Amerika do të reagojë me forcë ushtarake! Kosova është në interesin tonë nacional”. Xhema nuk e thotë këtë. Xhema nuk është njeri që flet. Këtë e tha Bruno Selimaj që ishte në një tavolinë me Xhemën dhe Dole-n kur bashkatdhetari ynë i kërkoi senatorit amerikan të bisedonte me Bush-in për t’i dhënë një paralajmërim Beogradit. Dole, i cili ishte udhëheqës i mazhorancës në Senat, e mbajti fjalën. Dhe fjala e tij respektohej nga ish presidenti për pozitën dhe autoritetin që gëzonte ai. George Bush s’mund të bënte gjë pa Dole-n. Senatori Dole, pra, e bindi presidentin amerikan të jepete paralajmërimin e famshëm të Krishtlindjeve, “vijën e kuqe”, të cilën, nëse Serbia do ta kalonte, Amerika do të reagonte me forcë. Kur presidenti deklaron se një vend është në interesin nacional amerikan, kjo doktrinë nga shteti duhet të mbrohet me të gjitha mënyrat.

Ish ambasadori amerikan Richard Holbrooke, në një takim që pati me shqiptarët në New York, pas luftës së Kosovës, e tha fare qartë: po të mos ishte Bob Dole, bombat e NATO-s nuk do të binin mbi Serbi.

Nuk më hiqet nga mendja mbrëmja që u organizua në New York, kur Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, bashkë me presidentin Bill Clinton, i dha një dekoratë edhe Jim Xhemës. Ish senatori Bob Dole në fillim foli mbi bashkëpunimin e tij me ish presidentin Clinton, “me të cilin”, -siç tha ai,- “nuk pajtohet për shumë pikëpamje, por për Kosovën jemi të një mendje”. Pjesën kryesore të fjalimit të tij, ish senatori ia kushtoi mikut të tij të mirë, Jim Xhemës. Xhema, sa herë që ka qenë puna për mbrojtjen e interesit kombëtar, ka bashkëpunuar me republikanë, si Bob Dole por edhe me demokratë, si presidenti Clinton. Kur ky i fundit kandidoi për president më 1992, Xhema u bashkua me Christopher Hyland-in dhe Alice Walton-in për organizimin e njërës nga fushatat më të mëdha fondmbledhëse. Mbrëmja e mbajtur në Manhattan u mbështet nga një numër i madh shqiptarësh, siç u mbështetën shumë mbrëmje për të ndihmuar edhe ish senatorin Dole, që nga fundi i viteve ’80-të të shekullit të kaluar, e deri herën e fundit kur, për të dytën herë, ai kandidoi për president të Amerikës.

Résultat de recherche d'images pour "jim xhema bush"Për Jim Xhemën foli gjatë jo vetëm Bob Dole, ky mik i madh i presidenti historik te Kosovës dr.Ibrahim Rugova dhe i shqiptarëve. Për të kanë folur e do të flasin me siguri edhe të tjerë. Por, nga goja e tij, nuk po dëgjoj asgjë për vetëveten. Kjo më detyroi të zgjedh një formë të veçantë për të dhënë portretin e tij: le të flasin të tjerët për të, në Amerikë e në vendlindje.

Thonë se kur shqiptarët shkonin në Washington, në Senat e Kongres, për të kërkuar mbështetje e për të dhënë informacione mbi gjendjen në Kosovë, pyetja e parë e zyrtarëve amerikanë ishte: “A është me ju Jim Xhema?” Një senator ua tha fare hapur: “Po të keni më shumë njerëz si Jim Xhema, do ta fitoni më lehtë lirinë e Kosovës”. Xhema nuk ishte vetëm, e ndihmuan edhe veprimtarët e tjerë të komunitetit. Por ai ishte “lokomotiva” që tërhiqte pas “vagonat” e trenit.

Edhe trojet ku po kalojmë, Vranja e Leskoci, dikur kanë qenë shqiptare, pjesë e Kosovës. Tragjedia ndodhi gjatë viteve 1877 – 1878 kur serbët shpërngulën me dhunë mijëra e mijëra shqiptarë nga Toplica, Jabllanica,Vranja, Leskoci, Nishi, Piroti e vise të tjera, një eksod pak a shumë i ngjashëm me atë të vitit 1999, në Kosovë. Ata zunë vend në treva të Perandorisë së atëhershme Osmane si në Kosovë, Maqedoni, Greqi etj. Këto treva të Serbisë së sotme, siç argumenton me dokumente e fakte, Sabit Uka në një libër me këtë temë, nga arkivat e gojëdhënat e atyre që e përjetuan vetë këtë ngjarje, para vitit 1878 ishin të banuara nga mijëra familje shqiptare. Shumë fshatra e vendbanime përbëheshin vetëm prej popullatës shqiptare, kurse vetëm disa të pakta, ishin të përziera me serbë.

Jemi në Vranjë. Më 1878 këtu kishte 25 mijë shqiptarë. Më 1981 Vranja pati 60 familje shqiptare, të cilat më vonë u shpërngulën dhe tani, siç më tregon Sevdaili, ka mbetur vetëm një familje shqiptare. Në Vranjë edhe sot një urë quhet “Ura e Shqipërisë”. Fshatrat e Malësisë së Bujanocit, dikur e bënin tregtinë në Vranjë. Sot shqiptarët mund t’i takosh vetëm në spitalet e qytetit meqë në mungesë të kujdesit shëndetësor në vendlindjet e tyre, janë të detyruar të kurohen atje. Në disa raste, pacientët kanë vdekur rrugës, pa arritur në spital.

Para nesh shfaqet qyteti tjetër, Leskoci ku nuk ka mbetur as edhe një shqiptar i vetëm. Gjithkund flitet e shkruhet serbisht. Prania e madhe e shqiptarëve këtu, para vitit 1878, sipas Sabit Ukës, dokumentohet edhe me faktin se një prej pazareve (tregjeve) quhej “Arnaut pazaresi”.

Në Medvegjë arritëm në mesditë. Ishim të pangrënë dhe për drekë ndaluam në një restorant në qendër të qytetit. Me ne janë banorët e Tupallës: Sokol Halimi, imam Ajet Latifi, Bajram Mustafa, Fadil Mustafa e Hamdi Emini. Në sytë e tyre lexoj gëzimin për takimin me mysafirët e rrallë. Më thonë se kanë vendosur të qëndrojnë në tokën e tyre dhe as që kanë ndërmend që të ikin. Sokoli ka pasur shpesh edhe konflikte, si me policinë, ashtu dhe me banorët serbë.

– Ata po mundohen të na frikësojnë po a frikësohet shqiptari? – na thotë ai dhe tregon disa raste të kërcënimeve nga pala serbe.

Tre policë dukeshin e zhdukeshin tutje rrugës së zbrazët. Rrallë duket njeri tjetër pos tyre.

Medvegja po zbrazet me shpejtësi nga shqiptarët. Më 1981, mbi 30 për qind e banorëve ishin shqiptarë, ndërsa sot ka vetëm 800. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999, shpërthen një shpërngulje tjetër masive e shqiptarëve drejt Kosovës. Sokoli thotë se policia i rrihte e i kërcënonte shqiptarët në mes të rrugës për t’i detyruar që të linin vatrat e tyre. Medvegja sot është një oazë në shkretëtirë. Nuk ka shtyp shqiptar e as ndonjë program radioteleviziv në gjuhën shqipe. Me Kosovën e ndan kufiri, me Bujanocin e Preshevën, largësia. Po territori i saj përshin 524 kilometra katrorë, pra është më e madhe se të dyja qytetet së bashku.

Pas Luftës së Dytë Botërore, mijëra shqiptarë, ngaqë këtu nuk gjenin punë, vërshuan drejt Evropës Perëndimore e Amerikës dhe nuk u kthyen kurrë më.

Paguajmë kamarieren serbe dhe vazhdojmë rrugën për në Tupallë. I hedh vështrimin e fundit qendrës së qytetit që duket si e vdekur, pa njerëz në rrugë.

Pas 20 minutash jemi në vendlindjen e Xhemail Xhemës, në Tupallë. Vëllai i tij, Hasani, kishte ardhur me një frymë në shkollën e fshatit, bashkë me fshatarët e tjerë, sapo kishte dëgjuar se do të ndodheshim aty. Në tërë fshatin s’gjeje ndërtesë më të bukur se kjo e shkollës. Në njërën nga sallat e saj, ku Xhemaili dikur kish shërbyer si mësues, bisedojmë për hallet e tyre: diskriminimin e shqiptarëve dhe pasojën më të tmerrshme të tij, zbrazjen e fshatit. Para vitit 1999 këtu jetonin rreth 1300 vetë, ndërsa sot kanë mbetur rreth 170. Më 1999, në shkollën e fshatit qenë stacionuar forcat serbe. Mësuesi i shkollës, Fadil Mustafa, më tregon klasat, laboratoret e mjediset e tjera të shkollës të shkatërruara nga forcat serbe. Përveç shkatërrimeve, më sqaron Fadili, ata kishin lënë pas edhe mbishkrimet “Vdekje shqiptarëve!”. Vetëm në Tupallë dhe Banjë të Siarinës, para luftës në Kosovë mësimet i ndiqnin reth 600 nxënës, ndërsa aktualisht në gjithë komunën e Medevgjës mësojnë 34 nxënës.

-Tupalla qenka një vend i bukur, – u them unë mikpritësve si për të ngritur sadopak humorin e tyre të rënë.

– Vendi do të ishte edhe më i bukur po të kishim më shumë njerëz, – thotë Hasani, familja e të cilit erdhi këtu nga Vranoci i Lebanës më 1877.

Pa fishekë s’mbahet kalaja, e pa njerëz s’mbahet fshati. Toka pa njerëz, si deti pa peshq. Këto ara të bukura, as lërohen, as mbillen e as korren. Këto shtëpi nuk nxjerrin tym. Nëpër këto rrugë të mbuluara me bar s’kalon njeri. Një pamje e zymtë, që të pikon mu në shpirt.

Më ngjitën në tarracën e shkollës e s’ngopemi së pari fushat e malet përreth. I gjithë fshati flinte në një qetësi të thellë. Por, nuk kaluan as pesë minuta e filloi rrebeshi i shiut. Vetëtinte e bubullinte. Gjëmonin toka e qielli. Para se të futemi sërish brenda i hodha edhe një vështrim kodrave të cilat, siç më thotë një banor i fshatit, e presin shiun në dorë. Ato qenë bërë bashkë me retë që po zbraznin pa mëshirë shiun që nuk pushoi për më se një orë. Kamermani përpiqet ta fiksojë edhe këtë të papritur të natyrës për t’ia çuar sa më të plotë si “dhuratë” bashkatdhetarit tonë në Amerikë…

Biseda kalon tani tek vetë Xhemail Xhema, për të cilin edhe kemi ardhur.

– Po atë vit që vdiq babai, – thotë vëllai i tij, iku nga vendlindja pasi kishte punuar si mësues në këtë shkollë e në disa të tjera të Kosovës. Meqë s’e duronte dot diskriminimin e shqiptarëve, vendosi të emigronte në Amerikë. Në të vërtetë, për planet që kishte në kokë, s’i kishte treguar askujt. Ne menduam se ai do të shkonte diku për pushime dhe do të kthehej shpejt. Por Xhemaili nuk u kthye kurrë më. Më vonë kur ai u bë aq i njohur për veprimtaritë e tij kundër regjimit të Beogradit, organet e Sigurimit më morën disa herë në pyetje dhe u interesuan si për Xhemailin, ashtu edhe për vëllain tjetër dr. Ramadanin.

Fshatarët e Tupallës janë krenarë për birin e tyre, i cili edhe pse s’pati mundësi të bënte gjë për Tupallën, bëri aq shumë për Kosovën. Ajet Latifi që është moshatar me Xhemailin thotë se Xhema është i së njëjtës moshë me Ajetin. Ka dëgjuar për aktivitetin e bashkëfshatarit të tij në Amerikë.

– Xhema, – thotë ai, – mund të ndihmojë sepse i ka mundësitë.

Jo larg shkollës, përtej një kopshti, ngrihej shtëpia e familjes Xhema. Pak më tej qe kroi i fshatit. Kur kalova afër tij m’u kujtun shumë poezi e tregime që janë frymëzuar nga këto kroje ku nuk shuhej vetëm etja në ditët e nxehta të verës. Aty takoheshin, e ndoshta edhe dashuroheshin së pari të rinjtë e të rejat; gratë bisedonin për jetën dhe hallet që u duhej të përballonin, për burrat që treteshin në kurbet, për të sotmen dhe të nesërmen… Në fshatrat tona dikur takimet janë bërë jo vetëm në oda, por edhe në këto kroje si ky.

Futemi brenda në shtëpinë e famijles Xhema. Më bien në sy kësulat e bardha të Hasanit të vendosura në një skaj dhome. Ndonëse kanë të njejtën ngjyrë, secila prej tyre përdoret për raste të ndryshme: në fushë, në dasmë ose në shtëpi. Vura edhe unë në kokë njërën prej tyre dhe dolëm në fotografi me mikpritësin. Si pimë kafet e ndërruam edhe nga një cigare, morëm rrugën e kthimit.

Gjatë gjithë rrugës mendova vetëm për Tupallën, për njerëzit që i dha kombit ajo, për heronjtë e luftës, të punës e të penës, të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, si Xhemail Xhema në Amerikë.

Harta jonë vazhdon të tkurret. Bobooo ç’e gjeti Tupallën! /Marre nga Illirya.NY

SHPËRNDAJE