Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uan Ismaili është zotuar sot se gjatë mandatit të tij do ta bëjë transportin publik falas për të gjithë qytetarët e Prishtinës.

Për të ardhë deri te realizimi i këtij projekti, Ismaili ka përmendur një numër të punëve të cilat duhet të bëhen paraprakisht, por që të gjitha sipas tij janë të realizushme.

Ismaili ka treguar se kostoja e transportit publik falas në Prishtinë do të kushtojë rreth 15 milion euro në vit. Sipas tij, të hyrat që do të gjenerohen nga menaxhimi i parkingjeve do të jetë rreth 12 milionë euro, që afërsisht do të mbulojë shpenzimet e transportit falas.

“Trafiku është ankthi ynë ditor i cili po na përcjellë tash e disa vjet rresht. Ky problem kërkon adresim të menjëhershëm, dhe zgjidhje të menduar mirë. Në programin tim ne e kemi zgjidhjen. Me mua si Kryetar të Komunës, Prishtina do të ketë transport publik FALAS.”, ka thënë Ismaili.
“Sot në qytet janë afër 90,000 vetura të qytetarëve rezidentë të Prishtinës. Këtij numri i shtohen edhe 130 mijë vetura që hyjnë çdo ditë në Prishtinë nga drejtime të ndryshme. Gjitha këto vetura kërkojnë hapësirë për parking, kërkojnë korsi të reja për vozitje, dhe në proces ngulfasin trafikun dhe e ndotin ajrin. Ky fluks i madh i veturave, përveç tjerash, është edhe rritje e rezikut të sigurisë në trafik.”, ka shtuar ai.

Sipas Ismailit, këtë ngarkesë në trafik e ka shkaktuar edhe mënyra se si është menduar qyteti dhe planifikimi për të.

Ai ka thënë se Prishtina është qytet ku planfikimi është bërë me fokus në nevojat e veturave, e jo në nevojat që i ka qytetari që jeton në Prishtine. “Vetëm shihni hyrjet në Prishtinë! Gjitha janë me 6 korsi. Kjo është ftesë për vetura.Prandaj, zgjidhja është transporti publik falas!”, ka shtuar Ismaili.

Ismaili ka thënë se për të siguruar transport publik falas duhet të kuptojmë disa elemente bazike:

“1. Afër 8 milionë kilometra vozitje në vit janë të domosdoshme për të ofruar transport publik në të cilin mund të mbështetesh, si në arritje në kohë, si në orare te sakta!

2. Për të ofruar këtë shërbim duhen minimalisht 160 autobusë! Sot Trafiku Urban i ka 51 sosh. Sektori privat gjithashtu ka një numër të konsiderueshëm autobusësh, por që janë në gjendje jo të mirë për shkak që mungon një kontratë me Komunën për ofrimin e shërbimit të transportit publik.

3. Për të ardhur te 160 autobusët, Trafiku Urban duhet të blejë edhe 30 autobusë, proces ky që sipas fjalëve të Shpend Ahmetit tashmë veçse ka filluar. Ndërsa sektorit privat duhet ofruar kontratë për ofrim të sherbimit të transportit publik. Kjo kontratë duhet të jetë minimalisht 5 vjeçare, ndërsa për ata që bëjnë investime serioze në flotë të re dhe “eco-friendly”, kontrata do të jetë 10 vjeçare. Kjo kontratë do të jetë e ngjashme me trafikun e tanishëm urban që ka Komuna e Prishtinës, ku operatori paguhet për Kilometra të vozitur.

4. Krejt operatorët e transportit publik (privat apo publik) do të futen në sistem të integruar dhe digjital të biletimit, me ç’rast të gjitha të hyrat në periudhën tranzitore do të mblidhen nga Komuna e Prishtinës.

5. Në periudhë dyvjeçare pas funksionalizimit të plotë të “Prishtina Parking”, dhe sistemit të integruar e digjital të biletimit për transport publik dhe parking në hapësira publike, Komuna e Prishtinës me anë të të hyrave që gjenerohen nga: Prishtina Parking, Hapësirat komerciale në vendpritje të busave, në busa brenda/jashtë dhe të hyrat tjera të ndërlidhura do të mbulojë në pjesë të madhe koston e ofrimit të sherbimit të transportit publik falas për të gjithë!”, ka përfunduar ai.

SHPËRNDAJE