Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi ndaj procesit gjyqësor penal që ka nisur në Gjykatën penale të Tiranës, ndaj gazetares së të përditshmes “Shekulli”, Lindita Çela me paditës drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri, zotin Gjovalin Prenga.

 

Tiranë, 27 mars

“Ky proces gjyqësor nga organizata jonë konsiderohet si një dëshmi e agresivitetit që zyrtarë të tillë të lartë manifestojnë ndaj gazetarëve për shkrimet e tyre, të cilat bazohen mbi referenca dhe dokumente të afishuara publike. Procesi i iniciuar prej zyrtarit të lartë të qeverisë ndaj gazetares Çela, shpreh më së miri shpërfilljen nga ky zyrtar të shkresës së shumëdiskutuar të kryeministrit Berisha për ndalimin e çdo nëpunësi apo zyrtari të lartë të administratës publike për hapjen e proceseve gjyqësore apo ngritjen e padive ndaj gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh mbështetjen e vet ndaj koleges Lindita Çela dhe shpreh gatishmërinë për ta ndjekur qoftë edhe me avokatë asistues të Unionit ecurinë e mëtejshme të këtij procesi. Drejtues të UGSH-së konfirmojnë prezencën e tyre në të gjitha seancat vijuese të këtij procesi gjyqësor si dhe interesimin e tyre për ecurinë e pandikueshme të tij. Në të njëjtën kohë UGSH kërkon nga gjyqtarët dhe trupa e këtij procesi, ruajtjen e objektivitetit dhe paanshmërisë në ecurinë e mëtejshme të tij, duke garantuar përmes drejtësisë dhe vetëm drejtësisë , mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe respektim të pavarësisë së shtypit në vend. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin për shpeshtimin e rasteve të padive në gjykatat e Tiranës ndaj gazetarëve të shtypit të shkruar, rastet që lidhen me qytetarë, subjekte, por shpesh edhe me nëpunës të administratës dhe zyrtarë të lartë politikë. Shpeshtimi i këtyre rasteve, shpreh një klimë të rrezikshme dhe kërcënuese të marrëdhënieve me gazetarët dhe mediat e lira,” thuhet në deklaratën e UGSH.

SHPËRNDAJE