uu_1459055349-6400552Një vajzë vetëm 2-vjeçare është sulmuar nga ujku ndërsa ndodhej në Kopshtin Zoologjik të Tiranës e shoqëruar nga nëna e saj.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune. Vajza ka marrë plagë në pjesën e shpinës së dorës kur po i jepte kafshës që ndodhej në kafaz, një biskotë.

Babai i vajzës së vogël, pasi është njoftuar nga bashkëshortja e cila e shoqëronte 2-vjeçaren, e ka dërguar vetë vajzën në spital pasi askush nuk e ka ndihmuar.

Në një prononcim për Shqiptarja.com, babai Elton Beka është shprehur mjaft i indinjuar për faktin e mungesës së sigurisë në kopshtin zoologjik.

“Unë nuk dua t’i vë përgjegjësi askujt, por jam i indinjuar për faktin se mungon totalisht siguria në një vend që frekuentohet nga të vegjlit, e pavarësisht faktit që prindërit mund t’i kenë në mbikëqyrje fëmijët, duhet të jetë dikush aty që t’i ofrojë siguri nga kontakti me kafshët për t’i ushqyer apo për t’iu afruar. Madje veç kësaj, askush nuk më pyeti për ngjarjen, as nuk e ndihmuan time shoqe aspak”, shprehet ai kur rrëfen si ndodhi ngjarja.

Për fat të mirë, përveç tronditjes psikologjike, pas mjekimit vajza ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është nën kujdesin e prindërve të saj të cilët edhe e kanë shoqëruar vetë drejt spitalit

“Unë sa e mora vesh shkova vetë në vendngjarje dhe e mora vetë e çova në spital madje edhe vaksinën e bleva vetë dhe askush nuk pyeti për vajzën time e cila fatmirësisht tani është mirë dhe veç tronditjes psikologjike s’ka asgjë të rëndë për tu shqetësuar”, thotë babai i dy vjeçares për “Shqiptarja”.

SHPËRNDAJE