Dy mjekë të urgjencës në spitalin e Durrësit janë arrestuar nga policia e këtij qyteti pasi ekzekutuan një vendim të gjykatës së shkallës së parë. Sipas policisë së Durrësit, sektori Kundër Krimeve Ndaj Personit Durrës ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy mjekëve të Spitalit Rajonal Durrës lidhur me vdekjen e shtetasit Juxhin Guza.

Në vijim të punës intensive të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës mbi hetimin e ngjarjes së ndodhur më datë 13 shtator 2011 për identifikimin e autorëve të plagosjes dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Durrës, me vendime penale të datës 16.11.2011, përcaktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj Dalip Çela, 54 vjeç, banues në Durrës, mjek Kirurg pranë Spitalit Rajonal Durrës, Nuri Qyra, 51 vjeç, banues në Durrës, mjek Reanimator pranë Spitalit Rajonal Durrës.

Këta mjekë akuzohen për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm pasi dyshohet se më datë 13 shtator 2011, si pasojë e neglizhencës në detyrë dhe mjekimit të pakujdesshëm, i kanë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin shtetasit Juxhin Guza, 24 vjeç, i cili ka humbur jetën pas disa orësh në këtë spital. Strukturat e Policisë Durrës vijojnë punën në drejtim të identifikimit të autorëve të kësaj ngjarje, duke lënë në dispozicion të personave që posedojnë informacione të sakta mbi autorësinë e saj shumën prej 30.000 eurosh.

SHPËRNDAJE