Sot (e enjte) janë në orar për të zhvilluar ndeshjet e para në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, të vlefshme për fazën çerekfinale.

Pas ndeshjeve të Ligës së Kampionëve gjatë të martës dhe mërkurës, tani radha është për ‘ethet’ e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

E enjtja është e gjitha e rezervuar për ekipet dhe tifozët e skuadrave që luajnë në garën e dytë dhe tretë elitare për klube evropiane.

Vëmendja më e madhe padyshim se është te Liga e Evropës, ku ka klube të mëdha evropiane si Juventusi, Manchester Unitedi, Sporting Lisbona, Sevilla dhe Roma.

 

Ndeshja më interesante padyshim se pritet të jetë ajo në mes të Unitedit dhe Sevilla, e cila pritet të zhvillohet në Old Trafford, ndërsa Juventusi pret Sportingun në “Allianz Stadium”, me të dy ndeshjet që nisin nga ora 21:00.

Takimi tjetër i orës 21:00 është ai në mes të Bayer Leverkusen dhe Royale Union SG, ndërsa ndeshja e vetme nga ora 18:45 është ajo në mes të Feyenoord dhe Romës.

Në Ligën e Konferencës, Gent dhe West Ham luajnë nga ora 18:45 në një përballje interesante, ndërsa Anderlechti pret AZ Alkmaarin.

 

Dy ndeshjet tjera të orës 21:00 janë ato në mes të Basel dhe Nice, dhe Lech Poznan me Fiorentinën.

Ndeshjet kthyese çerekfinale të të dy Ligave do të zhvillohen pas një jave, apo më saktë me datë 20 prill.

SHPËRNDAJE