Në një artikull të së hënës, gazeta “Neue Zürcher Zeitung” vë në fokus debatin që ka shpërthyer në Kosovë mbi një ligj të planifikuar për mbrojtjen e qendrës historike të qytetit të Prizrenit.
Pjesa historike e qytetit të Prizrenit është një xhevahir në aspektin kulturor dhe historik. Si një koncentrat i historisë qindra vjeçare në një hapësirë shumë të vogël shihet aty historia e pasur e Europës Juglindore. Vetëm qindra metra të ndara nga njëra-tjetra ndodhen xhami artistike nga koha osmane dhe kisha katolike, kisha ortodokse, teqe e urdhërit të dervishëve dhe hamame orientale.(…) Në kohën e shkëputjes së Serbisë nga Kosova shumë monumente kulturore të qytetit janë shkatërruar. Shumica shqiptare u soll po me atë mungesë ndjeshmërie kundrejt kishave, ashtu si edhe serbët janë sjellë dikur me lokalitetet shqiptare.
E drejtë vetoje për Beogradin?
Një ligj që synon ruajtjen e pjesës historike të qytetit ka shkaktuar probleme. “Ligji për qendrën historike të Prizrenit” u nxorr nga plani Ahtisaari i vitit 2007. Qëllimi i këtij ligji është që t’u japë të drejtë bashkëvendimi serbëve të pakët në Prizren, kur vjen fjala për vendime që prekin direkt ose indirekt kishat serbe. Ligji ndesh në rezistencën e politikanëve. Një paragraf i këtij ligji ka ndezur debatin, shkruan NZZ. Aty thuhet qartë që kur vjen puna për aktivitete të ndryshme në qendrën e Prizrenit, të cilat prekin pasuritë e kishës ortodokse serbe, atëherë duhet të merret miratimi i saj. Kritikët e shohin atë si një e drejtë vetoje që i jepet Beogradit.
Mijëra qytetarë protestuan në fund të Janarit në Prizren kundër ligjit, që sipas tyre privilegjon në mënyrë të njëanshme kishën ortodokse serbe. Peticioni përkatës u nënshkrua nga 10.000 kosovarë. Si zëdhënëse e kësaj proteste është partia Vetëvendosja. Sipas Vetëvendosjes, trashëgimia kulturore dhe historike e Prizrenit në këtë mënyrë nacionalizohet. Sipas tyre kishës ortodokse i kanë përkitur edhe shqiptarë lokalë, kur në kohën e pushtimit osman pati edhe një proces islamizimi. Kritikat drejtohen edhe kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila e mbron ligjin.
Prizreni është në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve një vend historik. Këtu u formulua për herë të parë në kuadër të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878 qëllimi i bashkimit të të gjitha trevave shqiptare në Perandorinë Osmane. Prizreni shihet si vendlindja e lëvizjes kombëtare shqiptare. Dhe synimi që pikërisht në këtë vend t’i jepen kishës serbe të drejta të zgjeruara, disa kosovarëve iu duket një çmim shumë i lartë për mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe me këtë forcimin e pavarësisë, përfundon gazeta zvicerane NZZ.
Die Presse: Serbia të fitojë statusin kandidat për në BE
Sipas ministrit të Mbrojtjes së Austrisë, Norbert Darabos, Serbia duhet ta marrë sa më shpejt të jetë e mundur statusin e vendit kandidat. Asaj nuk i duhen vënë më kushte të reja. Edhe pse Austria e ka njohur Kosovën, dhe qëndron pas këtij vendimi, kjo nuk është pengesë për Vjenën që të mbështesë Beogradin. Deklaratat e ministrit austriak Darabos erdhën në kuadër të Konferencës së Sigurisë të zhvilluar në Mynih. Ai kritikoi politikën e Gjermanisë ndaj Serbisë si “të gabuar”, kërkesat që i vihen Serbisë janë shumë të larta, tha Darabos

SHPËRNDAJE