Në panelin e “Shqip” këtë të hënë, ishte kreu i Shoqatës së Gazetarëve në Kosovë, Arben Ahmeti. Zoti Ahmeti në fjalën e tij e cilësoi si ogur të mirë reagimin e gazetarëve kundër Kodit Penal.

 

Më 20 prill Kuvendi i Kosovës miratoi Kodin e ri Penal, dy nene të të cilit kundërshtohen fort nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, që i cilëson nenet si anti-kushtetues dhe që cënojnë rëndë fjalën e lirë.

Në kodin e ri është hequr fjala “shpifje” dhe “fyerje, ndaj gazetarët pretendojnë se neni 37 dhe 38, ku flitet për “vepra penale mediale…” nuk përcaktojnë se cfarë është e dënueshme e cfarë jo.

Liria e medias në Kosovë ishte një rast i mirë për të trajtuar lirinë e medias mbarëshqiptare në realitetin e ri gjeopolitik të krijuar në Ballkan. Për këtë në panelin e emisionit “Shqip” në Top Channel, ishin të pranishëm gazetarë e analistë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Në panelin e “Shqip” këtë të hënë, ishte kreu i Shoqatës së Gazetarëve në Kosovë, Arben Ahmeti. Zoti Ahmeti në fjalën e tij e cilësoi si ogur të mirë reagimin e gazetarëve kundër Kodit Penal.

“Ajo që ka ndodhur në Kosovë është një ogur i mirë. Për herë të parë ndodhi që të ketë një unanimitet i të gjithë gazetarëve, protesta më e madhe e gazetarëve dhe më 13 maj bojkot institucioneve ku t’i tregojmë institucioneve që duhet të vrapojnë drejt medias. Ajo që po ndodh në trevat shqiptare është se mediat luftojnë për të marrë pushtetin e katërt. Në këto vende pushteti i parë është krimi i organizuar. Kuvendi miratoi Kodin Penal të Kosovës ku kanë hequr shpifjen dhe fyerjen. Gazetarët duhet të mbajnë përgjegjësi, por s’mund të dënohen me burg. Kemi reaguar kur pamë dy nenet e Kodit Penal. Vetë Ministri i Drejtësisë doli publikisht që të hiqen dy nenet. Neni 37 flet për përgjegjësinë zinxhir brenda redaksisë. Shpifja dhe fyerja janë hequr si fjalë dhe neni flet për vepër penale mediale, pa përcaktuar se cfarë”, deklaroi zoti Ahmeti.

Ahmeti, duke komentuar deklaratën e Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që disa ditë më parë tha publikisht se do të jepte dorëheqjen nëse dy nenet që kundërshtohen nga gazetarët nuk hiqen, tha se ishte tepër i vonuar dhe më shumë një deklaratë për përfitime politike. Ai shtoi se dy nenet bien në kundërshtim me 6 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe me vendimet e Këshillit dhe Bashkimit Europian ndër vite.

Kodi Penal i miratuar nga Kuvendi, tashmë ndodhet në zyrën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga të cilës i është kërkuar ta kthejë atë në parlament për rishikim nga deputetët. Për këtë, kreu i Shoqatës së Gazetarëve në Kosovë, Arben Ahmeti, shprehu bindjen e plotë. Ne jemi takuar me Presidente, tha ai, dhe e kemi njoftuar atë me fakte për anti-kushtetuetshmërinë e tij.

I pranishëm në studio ishte edhe kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa. Ai hoqi një paralele mes reagimit të simotrës së kësaj shoqate në Kosovë kundër Kodit Penal dhe protestave të organizuara nga kolegët në Shqipëri për cështje të cënimit të lirisë së fjalës.

“Kemi patur raste kur kauzën e kemi mbrojtur me masivitet reagimi, në mbrojtje të kolegëve kur janë kërcënuar apo përplasur me autoritetet. Ka patur protesta para kryeministrisë, parlamentit, Ministrisë së Brendshme. Ne nuk kemi një protestë në bllok për cështjen e përmirësimit të statusit, të njohjes dhe legalizimit të profesionit tonë. Në realitetin politik shqiptar në këto 20 vjet, mbizotëron informaliteti në realitetin mediatik shqiptar. Në rastin e ligjeve kemi qenë të bashkuar”, deklaroi zoti Çipa.
Naser Selmani, kreu i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, foli për një panoramë më të zymtë të lirisë së medias në Maqedoni, se sa në Shqipëri e Kosovë.

“Kosova ka patur një përvojë më të përparuar se sa Maqedonia për mediat. Në Maqedoni gjendja është edhe më e keqe. Media është nën presion, politik, financiar dhe e kriminalizuar. Liria e shprehjes në Maqedoni ka qenë e rrezikuar prej viteve ‘90, por kjo qeveri a ka përshkallëzuar akoma më shumë, me tendenca për të kontrolluar mediat dhe mbyllur gojën. Problemi është se klasa politike që qeveris Maqedoninë ka problem mes atyre që deklaron dhe atyre që reaizon. Media në Maqedoni nuk informon, por është shndërruar në një platformë propagande. Zërat opozitarë në media në Maqedoni janë shumë të paktë”, tha zoti Selmani.

Një panoramë të gazetarisë shqiptare nga Lugina e Preshevës, ku jetojnë shqiptarët e mbetur në administrimin e Serbisë, solli Belgëzim Kamberi, përfaqësues, aktivist, analist dhe gazetar i Luginës. Zoti Kamberi tha se ndryshe nga trevat e tjera shqipfolëse, gazetaria në Preshevë nuk është kritike dhe as hulumtuese, pasi është në hapat e para të saj dhe parësore është gjuha, e folura shqip.

Të ftuarit vlerësuan se nevojitet gazetari më intensive dhe më kritike ndaj pushtetit, një gazetari që të pasqyrojë realitetin dhe të informojë publikun me objektivitet, pa qenë e varur nga pushteti a interesa të tjera jashtë saj.  (TCH)

SHPËRNDAJE