Shqipëria nuk ka ç’të humbë nga integrimi në Bashkimin Europian, por për ta arritur këtë janë tejet të rëndësishme kriteret politike.

Kështu u shpreh të hënën ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, i cili nënvizoi se unioni është i interesuar të shohë përmbushjen e prioriteteve të kërkuara, që lipsin dialog politik konstruktiv mes partive dhe funksionim të parlamentit përmes seancave të rregullta të votimit të ligjeve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Kriteret politike janë tejet të rëndësishme për integrimin, jo më kot prioriteti i parë kërkon dialog politik mes partive, ndërsa prioriteti i tretë kërkon funksionimin e parlamentit me seanca të rregullta votimi. Ne jemi të interesuar të shohim se si do të përmbushen këto kritere. Pasi sa më e fortë të jetë demokracia aq më të mbrojtur janë qytetarët. Mendoj se vetë përfitimet e integrimit në BE janë të tilla që Shqipëria nuk ka ç’të humbë. Integrimi në BE është në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, deklaroi ambasadori Sequi në tryezën për integrimin dhe demokratizimin.

Ambasadori i BE-së nënvizoi se integrimi në BE çon në ulje të numrit të krimeve dhe korrupsionit, ndërsa nënvizoi se mosanëtarësimi do të thotë që Shqipëria të mos ketë mirëfunksionim të sigurisë publike.

Duke iu referuar faktit se BE është bashkim i shteteve ku partitë konkurrojnë, por edhe një bashkim solidariteti, Sequi theksoi se është i bindur se përpjekjet e përbashkëta mes palëve për të përmbushur kriteret për t’u integruar do të vijojnë me vullnet të mirë, pasi siç tha integrimi është prioritet kombëtar i vendit.

“Kriteret politike janë standarde të pjekurisë demokratike pa të cilat shqiptarët nuk do të jenë të gatshëm të përfitojnë nga BE. Integrimi është shndërrimi i vendit drejt një demokracie stabël, begatie afatgjatë. Por ne duhet të shkojmë edhe më tej sesa kaq”, tha Sequi, duke nënvizuar stabilitetin rajonal.

Ai tha se në 10 vitet e fundit BE i ka dhënë Shqipërisë 500 milion euro fonde për shëndetësinë, 150 mijë bursa studimi për studentët, ndërsa që prej vitit 2007 ka investuar 490 milion euro asistencë ndaj Shqipërisë.

Ambasadori Ettore Sequi u shpreh se BE ka një strategji për arsimin për vitin 2020 që synon uljen e numrit të studentëve që lënë shkollën/noa.al

SHPËRNDAJE