Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë reaguar deklaratave të Kryeministri të Serbisë, Aleksander Vucic, i cili tha sot se shumë shpejt do të zgjidhet problemi i krijuar pas vendimit për reciprocitet nga ana e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka thënë se autoritetet serbe duhet t’i njohin certifikatat e Shtetit të Kosovës para se të flitet për heqjen e reciprocitetet.
Ai ka thënë se kjo çështje mund të zgjidhet me dialog derisa i ka bërë thirrje Serbisë të mos pengojë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.
“Sidoqoftë, ne besojmë se dialogu është e vetmja mënyrë e zgjidhjes se problemeve, dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese rrjedhimisht te njohin certifikatat tona, në mënyre që qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve si parakusht i zhvillimit ekonomik, te mos jete subjekt i politikave ditore”, ka thënë Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi.
Abrashi ka treguar se vendimi i Ministres Hykmete Bajrami për masën e reciprocitetit është marrë pasi Serbia ka refuzuar t’i largojë barrierat për shoferët dhe kamionët e Kosovës që bartin materie të rrezikshme.
“Nga autoritetet serbe kemi kërkuar që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive, madje e kemi ngrit çështjen edhe ne CEFTA dhe ne Bruksel”, ka shtua ai.
Pas ndërmarrjes së masave të reciprocitetit me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës për të bllokuar kamionët me mallra serbe që hyjnë në Kosovë, ka reaguar edhe kryeministri i atjeshëm, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq, në një prononcim për media, ka thënë se qeveria e tij është duke u marrë me problemin, është në diskutim të vazhdueshëm me Brukselin dhe se beson që kjo çështje do të zgjidhet shpejtë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami kishte nënshkruar vendimin për masa reciproke kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit. Vendimi kishte ardhur pasi Serbia ka refuzuar të njohë certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme. Tash, as Shteti i Kosovës nuk do t’i njohë dokumentet e njëjta të lëshuara nga Serbia.
Rreth 21 mijë euro në ditë i humbë Serbia nga bllokada e naftës dhe gazit, pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovë.Bazuar në të dhënat e doganës, vitin e kaluar Kosova ka importuar në rrugë legale 33 milion litra gaz dhe 708 mijë litra naftë, në vlerë mbi 8 milion euro.