Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pritet të nisë një hetim ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli e cila është akuzuar për shpërdorim të fondeve publike.

Deputeti Balla tha se konkursi për ndërtimin e parlamentit të ri, ka rezultuar i paracaktuar, ndërsa kryetarja e Kuvendit harxhonte para për konkurs.

“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të shqyrtojtë të gjitha hapësirat hetimit parlamentar të kësaj afere duke përfshirë edhe rastet e tjera të shpërdorimit dhe vjedhjes së parave publike, për rinovimin e sallës aktuale dhe investimin e vjedhur prej 2 milion eurosh në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës që mban emrin e Pjetër Arbnorit”, u shpreh deputeti socialist.

Deputeti Balla tha se objekt i hetimit do të jenë jo vetëm abuzimet me projektin për ndërtimin e parlamentit të ri, por edhe të gjitha shpenzimet që janë kryer si nga kryetarja Topalli ashtu dhe nga administrata e saj.

“2.8 milion euro të shpërdoruara nga Jozefina dhe Saliu, ndërsa është provuar e zeza mbi të bardhë se pa u mbledhur komisioni për shqyrtimin e projekteve alternative të parlamentit të ri, në Vjenë ca miq të Saliut e dinin se kush do të fitonte prej kohësh”, tha Balla.

Në deklaratën e tij zoti Balla është ndalur tek të gjitha problemet që opozita ka konstatuar tek mazhoranca gjatë ketyre viteve.

“Kurrë më nuk do të pranojnë shqiptarët një qeverisje të tillë, pa turp, kusare dhe vrastare që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Shqiptarët nuk do të ulin kokën përpara korrupsionit të kthyer në një sistem qeverisës dhe më 8 maj do të rrëzohet regjimi i kusarisë”, tha deputeti Balla.

Reagon Kuvendi: Ftojmë Ramën të hetojë

Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit reagoi menjëherë pas akuzave të ngritura nga deputeti socialist Taulant Balla. nëpërmjet zëdhënëses, Suela Ruseti.

“Kryetarja e Kuvendit ju kujton edhe njëherë se nëse do t’i kishte shkuar në mendje të abuzonte duke trukuar konkurse, apo duke sajuar konkurime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe do të drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj. Ftojmë shokun Rama të hetojë cfarë të dëshirojë sepse dyert e Kuvendin nuk janë të mbyllura, sic janë dyert e Bashkisë së Tiranës”, tha zëdhënësja Ruseti/bs

SHPËRNDAJE